TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 11:39

12 pacientë të dializës bllokohen në aksin Hotolisht–Dragostunjë, banorët ndërhyjnë për hapjen e rrugës

Shkruar nga Pamfleti
12 pacientë të dializës bllokohen në aksin
Shkatërrimi i rrugës Librazhd-Prrenjas

Një situatë e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në rrugën rurale Hotolisht–Dragostunjë, në Bashkinë Prrenjas, ku 12 pacientë të planifikuar për trajtim jetik dialize në Spitalin Rajonal të Elbasanit kanë mbetur të bllokuar për shkak të shembjes së rrugës.

Sipas burimeve nga zona, aksi rrugor paraqet dëmtime të shumta, me gropa, baltë dhe segmente të shkatërruara, çka e ka bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve. Udhëtimi drejt daljes në rrugën kombëtare, pranë Librazhdit, është kthyer në një përballje me terrenin e vështirë dhe kohën, ndërsa pacientët kanë përjetuar ankth për shkak të vonesave.

Dializa është një procedurë jetike për personat me insuficiencë renale, dhe çdo shtyrje e saj përbën rrezik real për shëndetin. Sipas informacioneve paraprake, në momentin kritik nuk ka pasur ndërhyrje të menjëhershme institucionale.

Në ndihmë të pacientëve kanë ardhur banorë të zonës, të cilët me mjete rrethanore kanë arritur të hapin përkohësisht rrugën dhe të mundësojnë kalimin e mjeteve, duke shmangur pasoja më të rënda.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikën e infrastrukturës rurale dhe mungesën e një plani emergjent për garantimin e qarkullimit në raste bllokimi të akseve kryesore apo alternative. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për sistemimin e rrugës Hotolisht–Dragostunjë, si dhe të aksit Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht, me qëllim garantimin e kalueshmërisë, veçanërisht në raste emergjencash shëndetësore.

12 paciente dialize bllokohen në aksin hotolisht–dragostunjë

Lini një Përgjigje