
Grupet e strukturuara kriminale shqiptare po orientojnë aktivitetin e tyre drejt Afrikës Perëndimore, duke përdorur veçanërisht Senegalin si korridor të ri për trafikun e lëndëve narkotike drejt Europës.
Sipas ekspertit të sigurisë Fatjon Softa, kjo zhvendosje vjen si pasojë e shtimit të kontrolleve në rrugët tradicionale të trafikut.
Ai thekson se dobësia institucionale dhe niveli i lartë i korrupsionit në rajon, si dhe kontrolli i ulët i ngarkesave në portin e Dakarit, krijojnë terren të favorshëm për rrjetet kriminale.
Sipas Softës, ulja e sasisë së drogës së kapur në Shqipëri lidhet me ndryshimin e itinerareve dhe jo me rënie të trafikut.
Ndërkohë, Shqipëria mbetet një qendër e rëndësishme për pastrimin e parave, me investime në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe turizëm. Ai paralajmëron gjithashtu për depërtim të mundshëm të këtyre grupeve në sektorë të tjerë, përfshirë sigurinë ushqimore, si dhe për ndikim politik e në sistemin e drejtësisë.
"Ky informacion që erdhi si rrjedhojë e një medias së huaj, e cila flet dhe shkruan për peshën dhe rolin e grupeve të strukturuara shqiptare, të cilët veprojnë jashtë territorit, edhe nga Senegali, duke e përdorur atë si një korridor kalimi, dhe ata, për të cilët ata flasin që kontrollojnë ato aktivitete politike apo aktivitetet e gjyqësorit, tregon dhe njëherë për peshën dhe fuqinë e këtyre grupeve, të paktën financiarisht dhe e dyta në lidhjet politike, sepse asgjë nuk mund të veprojë vetëm nga pikëpamja financiare, nëse nuk janë dhe lidhjet politike dhe mbështetjet politike. Sigurisht që edhe në territorin shqiptar, këta grupe vazhdojnë të kenë dhe të shfrytëzojnë territorin për këtë lloj komunikimi, sepse komunikimi nuk është telefonik, komunikimi është financiar, komunikimi është edhe politik, sepse fakti që ushtrojnë aktivitete të tilla dhe përdorin kalimin e këtyre kanaleve tashmë nga Senegali, nga Amerika Latine drejt territorit, tregon dhe njëherë për peshën dhe fuqinë e tyre që ato kanë.
Në territorin shqiptar sigurisht që më shumë sesa droga, është pastrimi i parave, sepse droga do të përfundojë në pastrim parash dhe pastrimi i parave vjen mbi bazën e një fuqie që ato kanë, qoftë edhe nga pikëpamja politike, e pushtetit lokal apo tek gjyqësori, sepse operacionet e përbashkëta kanë treguar për lidhje të grupeve me këta struktura, të cilët vijnë jo vetëm thjesht për futjen brenda territorit, shpërndarjen, trafikimin, por edhe pastrimin e parave që ka ardhur nëpërmjet ndërtimit, nëpërmjet agjencive të imobiliare apo nëpërmjet turizmit. Është thënë që është e rrezikshme, sepse këta grupe janë futur dhe në sigurinë ushqimore. Janë futur tek prodhimi dhe kjo është bërë akoma dhe më e rrezikshme që shkon dhe atakon drejtpërdrejtë dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Afrika Perëndimore tashmë është një korridor i ri kriminal, ku lehtësirat që vijnë për shkak të pozicionit që ka nëpërmjet Atlantikut, nëpërmjet Mesdheut, duke përdorur edhe Ballkanin si një rrugë kalimi për të vajtur drejt vendeve të Bashkimit Europian, lehtësirat që e ka për t'u lidhur në lidhje drejtpërdrejt që ka nëpërmjet me Belgjikën, me Spanjën dhe me Francën, e ka bërë të rëndësishme edhe për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në këto vende.
Pra përqëndrimi tek hapësira ballkanike, duke e përdorur këtë hapësirë, sepse ka nivele korrupsioni në vendet e hapësirës ballkanike dhe ky lloj niveli korrupsioni i ka favorizuar ata prej kohësh dhe vitesh që të ndërtojnë atë perandorinë e tyre të trafikimit të lëndëve të forta kryesisht narkotike. Dhe kjo është një korridor jo vetëm thjesht i trafikimit të lëndëve narkotike, por edhe një mënyrë se si ata mund të kenë pastrimin e parave dhe kthimin e parave pastaj nëpërmjet bizneseve informale apo nëpërmjet linjës së ndërtimit apo dhe forma të tjera për t'i kthyer këta në një ekonomi, ku ekonomia e tyre pastaj përfundon në kontrollin e strukturave të shteteve duke i kthyer këto pastaj në funksion të ë aktivitetit të tyre kriminal", tha ai për "Syri Tv".
Lini një Përgjigje