TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 08:11

Ndryshimi i masës së sigurisë, Apeli i Posaçëm shqyrton sot kërkesën e Veliajt për lirim nga qelia

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshimi i masës së sigurisë, Apeli i Posaçëm
Erion Veliaj

Apeli i Posaçëm pritet të shqyrtojë sot kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Çështja është caktuar për shqyrtim nga gjyqtarja Nertina Kosova.

Veliaj ka ankimuar vendimin e datës 1 shkurt të dhënë nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila vendosi vijimin e masës së arrestit me burg ndaj tij. Në kërkesën drejtuar Apelit, Veliaj ka kërkuar zëvendësimin e kësaj mase me një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore ose çdo alternativë tjetër të parashikuar nga ligji.

Apeli i Posaçëm do të vlerësojë nëse ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë dhe për lirimin e tij nga qelia. Kërkesa vjen pas vendimit për kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se në këtë fazë procedurale nuk ekziston rreziku i prishjes së provave.

Në seancat e mëparshme, Veliaj ka pretenduar se i është cenuar e drejta për mbrojtje efektive, duke deklaruar se nuk është njohur ende me dosjen hetimore. Ai ka kundërshtuar gjithashtu përfaqësimin nga avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata, duke refuzuar çdo veprim procedural të ndërmarrë prej saj.

Sipas tij, avokatja nuk ka njohje reale mbi dosjen penale dhe përfaqësimi i saj bie ndesh me interesat dhe strategjinë e mbrojtjes që ai synon të ndjekë, duke mos përfaqësuar vullnetin e tij.

Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen ndaj tij rreth pesë muaj më parë.

SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Pjesa më e madhe e akuzave lidhet me korrupsionin pasiv, të dyshuar në nëntë raste, në raport me disa kompani.

Sipas prokurorisë, Veliaj dyshohet se ka përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte që, nga ana e tyre, kanë marrë leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. SPAK e akuzon atë për korrupsion pasiv në nëntë raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ajo përballet gjithashtu me akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Seanca e sotme në Apelin e Posaçëm pritet të përcaktojë nëse masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës do të mbetet në fuqi apo do të ndryshojë, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë vijon.

Lini një Përgjigje