Shembja e një pjese të aksit rrugor Librazhd–Pogradec ka krijuar probleme të shumta për bizneset dhe tregtinë në juglindje të vendit, duke ndikuar në lëvizjen e turistëve, furnizimin me mallra dhe qarkullimin e transportit të rëndë. Situata po konsiderohet shqetësuese për ekonominë lokale në Korçë, Pogradec dhe zonat përreth.
Administratori i një bujtine në Voskopojë, Anton Falo, deklaroi se aktiviteti i tij është goditur ndjeshëm gjatë fundjavës së kaluar. Sipas tij, rreth 70–80% e prenotimeve janë anuluar për shkak të bllokimit të rrugës, duke sjellë humbje të konsiderueshme për hotelin.
Ai theksoi se dëmet janë edhe më të mëdha në sektorin e restorantit, ndërsa paralajmëroi se nëse bizneset e Voskopojës nuk punojnë gjatë fundjavave, rrezikojnë falimentimin. Falo i bëri thirrje institucioneve shtetërore të ndërhyjnë sa më parë për zgjidhjen e situatës.
“Na dëmtoi jashtëzakonisht këtë fundjavë, pasi ne punojmë me një klientelë kryesisht nga Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Kavaja dhe Elbasani. Pak nga Korça. Dhe patëm një dëm shumë të madh. Patëm shumë anulime, qoftë në hotel, qoftë në restorant të dielën. Në hotel, 70-80% të dhomave na u anuluan. Nga 10 dhoma që kam unë, më erdhën vetëm tre. Shtatë u nisën, por nuk arritën dot në destinacion. U kthyen nga Librazhdi.
Ata të tre ishin pak më guximtarë dhe i ranë nga Moglica. Dhe kur erdhëm edhe ata thanë që ishin bërë pishman që i ranë nga Moglica, sepse rrugët janë të ngushta në një terren malor. Ndërsa në restorant humbjet ishin akoma më të mëdha. Shpresojmë që të rregullohet sa më shpejtë ky defekt. Dëme ka pasur vazhdimisht, por këtë herë dëmet ishin më të mëdha. Ne zakonisht në Voskopojë punojmë vetëm në fundjavë, të shtunë të dielë. Nëse nuk arrijmë të punojmë në fundjavë, ne kemi mbaruar”, u shpreh ai për "Report Tv".
Ndikimi shtrihet edhe në tregtinë e mallrave. Prej tre ditësh, dhjetëra kamionistë kanë mbetur të bllokuar në Qukës, pas mbylljes së rrugës në Librazhd, duke e pasur të pamundur vijimin e rrugës drejt Tiranës dhe shpërndarjen e mallrave në destinacionet përkatëse.
Sipas kamionistëve, alternativa e sugjeruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) nuk është e zbatueshme, pasi mallrat janë zhdoganuar dhe nuk mund të kalojnë përmes territorit të Maqedonisë së Veriut për mungesë të një marrëveshjeje mes dy qeverive në raste të tilla. Kjo situatë po krijon vonesa në furnizim dhe pasoja të drejtpërdrejta për tregtinë në rajon.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publik një afat të saktë për rikthimin e qarkullimit normal, ndërsa bizneset dhe përfaqësuesit e transportit kërkojnë zgjidhje urgjente për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës ekonomike.
Lini një Përgjigje