Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar këtë të hënë një video ku shihen fadroma duke punuar në shtratin e lumit Shkumbin, në zonën e Dragostunjës. Sipas tij, ndërhyrja për marrjen e zhavorrit ka sjellë lëvizje të bazamentit dhe për pasojë shembjen e rrugës Dragostunjë–Përrenjas.
Në reagimin e tij, Berisha akuzon kompaninë ANK si përgjegjëse për ndërhyrjen në lumë dhe për dëmtimin e infrastrukturës, duke e cilësuar situatën si një ngjarje me pasoja për të gjithë juglindjen e vendit, pas problemeve në qarkullim që pasuan dëmtimin e aksit.
Sipas mesazhit të publikuar prej tij, video dhe fotot janë dërguar nga një “qytetar digjital”, i cili, sipas Berishës, është mbështetës i Partisë Socialiste. Materialet, thuhet në postim, janë realizuar dy javë më parë në të njëjtën zonë ku ka rrëshqitur toka.
“Në të njëjtin vend ku ka rrëshqitur toka, firma kontraktuese ANK ka marrë zhavorrin në lumë, gjë që ka bërë të lëvizë bazamenti i rrugës. Denoncoj me forcën më të madhe këtë krim të rëndë që ndëshkoi të gjithë juglindjen e vendit”, shkruan Berisha.
Lini një Përgjigje