
Analisti Skënder Minxozhi ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe protestat e organizuara nga Partia Demokratike.
Ai u shpreh se opozita nuk gëzon mbështetje të gjerë popullore në tubimet që po zhvillon. Minxozhi deklaroi gjithashtu se kreu i PD-së është ndikuar nga zhvillimet në vende të tjera të rajonit ku protestat kanë pasur pjesëmarrje masive.
“Berisha mesa duket ka një ide fikse duke parë edhe vende të tjera të rajonit ku realisht qeveritë janë përballur me një trysni masive. Burra, gra, fëmijë të gjithë në rrugë për probleme që janë në agjendë edhe në Shqipëri. Por këtu nuk ka popull dhe krejt joproduktive të thuash do të dalë krejt populli në shesh dhe detyrohesh t’i kalosh nga protestë në Foltore sepse realisht nuk ka njerëz”, u shpreh Minxozhi për "Abc News".
Ai tha gjithashtu se pjesëmarrja në tubimet e Berishës është e kufizuar dhe shton se ky fakt e ka detyruar opozitën të ndryshojë mënyrën e organizimit të protestave.
“Ai e di që ka pak qindra njerëz që mund të ndjekin për më shumë se një orë sepse pjesa tjetër ikën. Pra ka nevojë të sjellë nga Kolonja nga Saranda sepse Tirana nuk ka njerëz. Dhe në këto kushte ka bërë një zgjidhje të projektuar drejt mediave ndërkombëtare. Pra një spektakël piroteknik bëhet edhe me pak veta dhe mund ta bësh ngjarjen për median ndërkombëtare. Kanë bërë një zgjedhje regjizoriale në mënyrë që të duket shumë. Pra kjo është zgjidhja në kushtet ku opozita nuk po merr hov edhe nga hetimet që SPAK po bën”, deklaroi analisti.
Lini një Përgjigje