TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 10:05

Shkatërrimi i rrugës Librazhd-Pogradec, përkeqësohet situata te 'Arrat e Gurës'; paralizohet qarkullimi

Shkruar nga Pamfleti
Shkatërrimi i rrugës Librazhd-Pogradec, përkeqësohet situata
Shkatërrimi i rrugës Librazhd-Pogradec

Rruga kombëtare Librazhd–Pogradec mbetet e pakalueshme, ndërsa situata është rënduar në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku vijojnë rrëshqitjet e tokës.

Lëvizja në këtë aks është ndërprerë, duke krijuar vështirësi të shumta për banorët dhe bizneset e zonës.

Sipas informacioneve zyrtare, pritet një relacion nga Shërbimi Gjeologjik për të përcaktuar shkaqet dhe për të hapur rrugën për ndërhyrje konkrete. Një nga opsionet që po shqyrtohet është ndërtimi i një rruge provizore paralel me linjën hekurudhore, ndërsa në ditët në vijim pritet të mblidhet edhe Këshilli Teknik për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.

Segmenti i dëmtuar paraqet probleme serioze strukturore. Ura në zonë raportohet se ka pësuar degradim të plotë, ndërsa shtresa e asfaltit është çarë dhe konsiderohet e pariparueshme. Ndërkohë, është pezulluar edhe puna për hapjen e një by-pass-i provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese, pasi, sipas burimeve, ndërhyrja paraqiste rrezik për jetën e punëtorëve për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në emër të Qeverisë, e ka cilësuar rrëshqitjen si fenomen natyror të shkaktuar nga reshjet e shiut. Megjithatë, Prokuroria ka ngritur dyshime mbi rrethanat e ngjarjes dhe ka nisur hetime që prej së dielës.

Hetimet po zhvillohen për disa vepra penale, përfshirë “Shpërdorim të detyrës”, “Shkelje të barazisë në tenderë apo ankande publike”, “Shkatërrim të rrugës” dhe “Ndotje të ajrit, ujit apo tokës”. Organet e drejtësisë po verifikojnë nëse punimet për Korridorin VIII kanë ndikuar në destabilizimin e segmentit ekzistues.

Lotin e shtatë të autostradës e ka fituar kompania “ANK”, kantieri i së cilës ndodhet rreth 2 kilometra nga vendi ku u shemb rruga. E njëjta kompani, në pronësi të Agim Kolës, është parë në terren ditët e fundit, e kontraktuar nga ARRSH për hapjen e by-pass-it provizor.

Si pasojë e bllokimit, qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit dhe Librazhdit që udhëtojnë drejt Tiranës detyrohen të përdorin aksin Maliq–Gramsh, i cili jo vetëm rrit distancën, por konsiderohet edhe më pak i sigurt. Një tjetër alternativë, më e gjatë dhe e lodhshme, është përmes Tepelenës dhe Leskovikut.

Ndërkohë, mjetet e tonazhit të rëndë që vijnë nga Maqedonia e Veriut po devijohen drejt Rrugës së Arbrit.

shkatërrimi i rrugës librazhd-pogradec

Lini një Përgjigje