TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 09:12

"Nga Amerika Latine drejt BE", Artan Hoxha: Narkotrafikantët shqiptarë mbizotërojnë tregun e kokainës

Shkruar nga Pamfleti

"Nga Amerika Latine drejt BE", Artan Hoxha: Narkotrafikantët

Zhvillimet e fundit në Meksikë, pas raportimeve për vrasjen e bosit të drogës të njohur si “El Mencho”, pritet të kenë pasoja edhe për tregun ndërkombëtar të narkotikëve, përfshirë Europën dhe rajonin e Ballkanit. Kështu u shpreh gazetari Artan Hoxha në një intervistë për emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN.

Sipas tij, rrjetet shqiptare të narkotrafikut janë kthyer prej kohësh në një faktor të rëndësishëm në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Hoxha theksoi se ky fenomen përbën tashmë një shqetësim real, veçanërisht për vendet europiane, ku prania e këtyre grupeve është bërë më e dukshme.

Ai nënvizoi se, në këtë kontekst, Shqipëria duhet të ndërtojë një strategji të qartë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët europianë për të përballuar krimin e organizuar.

Duke bërë një krahasim me situatën në Meksikë, ku kartelet përballen drejtpërdrejt me shtetin dhe disponojnë armatim të rëndë, Hoxha vlerësoi se në Ballkan nuk ekzistojnë struktura të tilla të mirëfillta ushtarake.

Sipas tij, grupet kriminale shqiptare nuk sfidojnë hapur institucionet shtetërore, por operojnë në forma më të fragmentuara, shpesh përmes grupeve të vogla apo skuadrave të ekzekutimit që përdoren kryesisht për përplasje mes rivalësh dhe jo për përballje direkte me agjencitë ligjzbatuese.

“Në Shqipëri do të kemi një strategji të mirëfilltë duke patur parasysh bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me partnerët europianë dhe tashmë krimi organizuar shqiptar dhe narkotrafikantët shqiptarë janë një problem i vërtetë. Sidomos për Europën, ato janë një problem tashmë shumë i dukshëm, i shtrirë në masivisht dhe kanë marrë prej kohësh ekskluzivitetin për të kryer trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian”, tha Hoxha.

Ndryshe nga Meksika, ku kartelet përballen hapur me shtetin dhe zotërojnë armatim të rëndë, në Ballkan, thotë gazetari Hoxha, nuk ekzistojnë struktura të tilla ushtarake që sfidojnë drejtpërdrejt institucionet. Ai nënvizon se grupet shqiptare nuk përballen hapur me shtetin, por operojnë në mënyrë të fragmentuar, shpesh përmes grupeve të vogla apo skuadrave të ekzekutimit

“Në Ballkan ne kemi maksimumi organizata kriminale të cilat nuk përballen me shtetin haptazi. Në Shqipëri këto organizata janë edhe më të reja dhe nuk kanë struktura të tilla kaq të mëdha. Pra ne nuk kemi ende kartelë të mirëfilltë, sepse kemi një problem shumë të madh. Organizatat tona nuk bien dakort se kush do drejtojë. Pra nuk arrijmë të bëjmë një aleancë kaq të madhe e cila të krijojë këtë problematikë. Prandaj kartelet janë shumë të rrezikshme për vendin ku operojnë, sepse ato kthehen në rivale direkte të shtetit, të ligjit aty janë kthehen në sundues të territorit dhe kjo gjë u jep atyre mundësinë dhe aftësinë që ata të kthehen një shtet paralel, pra një shtet brenda shtetit. Nga strukturat që ne kemi parë deri tani maksimumi kemi patur ndonjë një skuadër ekzekutimi, një grup vrasësh me pagesë, kryesisht për të goditur kundërshtarët e tyre dhe jo për të përballur me agjencitë e zbatimit të ligjit. Në Meksikë vriten vazhdimisht prokurorë, zyrtarë të nivelit të lartë, politikanë, gazetarë”, theksoi Hoxha.

Sipas Hoxhës, Europa mbetet një nga tregjet më fitimprurëse për kokainën dhe çdo destabilizim në Meksikë, ndikon në zinxhirin e furnizimit që nis nga Amerika Latine dhe përfundon në vendet e BE-së. Ai thekson se kur goditen strukturat e mëdha, rrjetet kriminale riorganizohen, ndryshojnë rrugët e trafikut dhe partnerët në Europë.

“Në Europë nuk ka kartele kaq të mëdhaja. Organizatat mafioze që operojnë në Europë kanë një historik më të vjetër, kanë organizim dhe një strukturë krejt tjetër dhe kryesisht ato mundohen që me agjencitë e zbatimit të ligjit herë pas here t'i korruptojnë, të bëjnë aleanca me to, të shmangin një përplasje siç ndodh në Meksikë”, tha ai.

Lini një Përgjigje