TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Shkurt 2026, 11:15

Shembja e rrugës 'paralizon' juglindjen, tregtarët: Do detyrohemi të mbyllim bizneset, rezervimet janë anuluar

Shkruar nga Pamfleti
Shembja e rrugës 'paralizon' juglindjen, tregtarët: Do
Shembja e rrugës 'paralizon' juglindjen

Bllokimi i akseve rrugore që lidhin juglindjen me pjesën tjetër të vendit po jep ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik të zonës. Vështirësitë në qarkullim kanë prekur zinxhirin e furnizimit dhe shpërndarjes së mallrave, duke krijuar kosto shtesë për bizneset dhe konsumatorët.

Tregtarët ankohen për zgjatje të konsiderueshme të kohës së transportit për shkak të devijimeve dhe kufizimeve në lëvizje. Sipas tyre, kjo ka sjellë vonesa në furnizime dhe rritje të shpenzimeve të transportit, të cilat po reflektohen edhe në çmimet finale të produkteve.

Një prej tregtarëve e cilëson situatën si tepër të vështirë, duke theksuar se vonesat janë të shpeshta dhe se, nëse rruga nuk hapet së shpejti, mund të detyrohen të ndërpresin aktivitetin. 

“Vonesa ka sa të duash. Ka raste për furnizimin flenë andej. Me bllokimin që ndodhi është katastrofë. Nëse nuk hapet rruga do detyrohemi të rrimë pushim”, thotë njëri nga tregtarët.

“Na ka ndikuar shumë, nuk ku shkon më keq se kaq. Nuk lëvizim fare as nga Gramshi, vetëm nga Përmeti-Tepelenë. Është rrugë shumë e gjatë. Kostoja është dyfish. Kjo ka ndikuar edhe në koston e produkteve që shesim. Rriten kostot do të rriten edhe çmimet. Edhe produktet nuk janë të shumta në numër. Rruga zgjat vajtja-ardhje 12 orë. Trafik ka shumë sepse është vetëm rruga alternativa. Nëse kjo vijon do rrimë pa punë”, shprehet një tjetër.

Pasojat janë ndjerë edhe në sektorin e turizmit. Operatorët turistikë në Korçë dhe Pogradec raportojnë anulime të shumta rezervimesh në hotele dhe bujtina, ndërsa bizneset e shërbimit ushqimor flasin për rënie të ndjeshme të xhiros ditore.

Sipas përfaqësuesve të këtij sektori, pasiguria në qarkullim dhe zgjatja e kohës së udhëtimit, sidomos nga zona e Gramshit, kanë bërë që një pjesë e vizitorëve të heqin dorë nga udhëtimet e planifikuara. Një prej operatorëve turistikë pohon se rreth 70 për qind e rezervimeve janë anuluar, ndërsa të ardhurat kanë pësuar rënie të ndjeshme ditët e fundit. Ai shton se situata e përsëritur e problemeve me infrastrukturën po dëmton sezonin turistik.

“70 përqind e rezervimeve janë anuluar, njëjtë edhe në restorant. Ka pasur rënie të të ardhurave këto ditë. Duhet të rregullohen rrugët, është e treta herë këtë sezon që përsëritet”, shprehet një prej tyre.

Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse gjendja vijon, një pjesë e bizneseve mund të përballen me mbyllje për shkak të kostove të larta dhe pamundësisë për të përballuar vonesat në furnizim dhe shpenzimet shtesë të transportit.

 

tregtaret shembja e rruges mbyllje biznesesh rezervime

Lini një Përgjigje