
FIFA gjobiti Federatën Shqiptare të Futbollit pas sjelljes diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes kualifikuese për Botërorin 2026 ndaj Andorrës, e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” më 24 mars 2025.
Komisioni Disiplinor i FIFA-s e konsideroi të papranueshme sjelljen e tifozëve dhe ka vendosur një gjobë prej 20 mijë frangash zvicerane ndaj FSHF-së si dhe mbylljen e të paktën 20% të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me prioritet në tribunat pas portave.
“Panorama Sport”, me burimet e saj në FIFA, ka zbuluar dokumentin që tregon me detaje procedimin disiplinor që ka bërë delegati, në ndeshjen me Andorrën. Aty faktohet se thirrjet diskriminuese kanë lindur nga sektori N103, (bllok ku ishin vendosur grupimet Tifozat Kuq e Zi dhe Iliryan Elite). Në shënimet që ka mbajtur në dosje delegati, tregohet fare mirë sektori, minuta dhe thirrjet e regjistruara me video në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer në atë angleze, sa kanë zgjatur ato dhe sa herë janë përsëritur.
Nga tifozët shqiptarë ka pasur thirrje: “Vriti, vriti serbët” dhe po ashtu: “Vrite, shkatërroje, Serbinë masakroje”. Këngë të cilat janë kënduar në minutën e tretë të takimit dhe kanë shkelur Kodin Disiplinor të FIFA-s, në lidhje me nxitjen e urrejtjes etnike dhe diskriminimin.
Lini një Përgjigje