Mançester Siti ka bërë të ditur se tribuna veriore e stadiumit “Etihad” do të marrë emrin e Pep Guardiolës, ndërsa në hyrje të saj do të vendoset edhe një statujë në nder të teknikut spanjoll.
Vendimi vjen menjëherë pas konfirmimit të largimit të Guardiolës nga posti i trajnerit të skuadrës, duke i dhënë fund një periudhe dhjetëvjeçare në krye të kampionëve të Anglisë.
Megjithatë, 54-vjeçari nuk do të shkëputet plotësisht nga klubi. Mançester Siti ka njoftuar se Guardiola do të marrë një rol të ri si ambasador global i “City Football Group”, struktura që administron disa klube futbolli në mbarë botën.
Në detyrën e tij të re, ai do të ofrojë këshillim teknik për klubet pjesë të grupit dhe do të angazhohet në projekte strategjike të veçanta.
Sipas klubit, iniciativa për ta nderuar Guardiolën është marrë personalisht nga pronari i Mançester Sitit, Sheiku Mansur.
Tribuna veriore, e zgjeruar së fundmi, do të quhet zyrtarisht “Pep Guardiola Stand” dhe inaugurimi i saj pritet të bëhet në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Aston Vilës.
Ndërkohë, statuja e Guardiolës do të vendoset përpara hyrjes kryesore të tribunës, si simbol i kontributit dhe suksesit të tij në historinë e klubit.
Lini një Përgjigje