
Laçi “zgjohet” pas 3 javësh nga “gjumi letargjik” dhe merr fitoren e parë në kampionat. Kurbinasit kanë mposhtur me rezultatin tenistik 6-1 Teutën. Një fitore mbresëlënëse e kurbinasve, e para nën drejtimin e Skerdi Bejzades si trajner.
Vendasit kaluan në avantazh pas 9 minutave lojë. Sobouale doli i vetëm përballë portierit dhe e dërgoi topin në rrjetë.
15 minuta më vonë, vendasit dyfishuan shifrat. Ujka lëshoi një predhë diagonale që nuk i la kohë portierit Dema të reagonte.
Në minutën e 56, ekipi i drejtuar nga Skerdi Bejzade gjeti edhe golin e tretë. Pas një harkimi në zonë, Kordeiro humbi fillimisht ekuilibrin, por më pas u ngrit dhe goditi topin duke e dërguar në rrjetë.
5 minuta më vonë, vendasit realizuan golin e katërt. Kurbinasit nisën një aksion të shpejtë, duke nxjerrë Barjamajn të vetëm para portës, ku nuk gaboi.
Laçi nuk u mjaftua me kaq, dhe në minutën e 78 gjetën edhe golin e pestë. Ujka e pati të lehtë të shënonte me një diagonale nga e majta.
Në minutën e 90+2, Teuta ngushtoi diferencën. Gjata shënoi me një gjuajtje nga jashtë zonës, por goli i tij vlejti vetëm për statistikë.
Në minutën e 90+4, vendasit gjetën edhe golin e gjashtë. Myrta shmangu pozicionin jashtë loje dhe i vetëm para Demës dërgoi në rrjetë.
Me këtë fitore, Laçi renditet në vendin e 6 me 4 pikë, ndërsa Teuta mban vendin e 9 me 1 pikë, por durrsakët kanë një ndeshje më pak.
Lini një Përgjigje