
Banderolës së tifozëve rumunë në ndeshjen ndaj Kosovës, duket se i vjen përgjigja dhe nga autoritetet e larta të futbollit. UEFA njofton se ka hapur zyrtarisht procedurat disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë.
Kujtojmë që Rumania mundi Kosovën 2-0, por ndeshja u pezullua për disa minuta për shkak të banderolës të shpalosur nga ultrasit rumunë, me një mesazh anti-shqiptar, ku shkruhej “Kosova është Serbi”.
Akuzat për të cilat do të hetohet pala rumune janë: mesazhet provokuese, sjelljet raciste, ndezje të mjeteve piroteknike dhe hedhja e sendeve në fushë.
Nga ana tjetër, Kosova do të kërkojë pikët në tavolinë. Kjo është ajo që pretendohet pas skandalit të ndodhur në shkallët e stadiumit të Bukureshtit.
FFK-ja ka paralajmëruar se në kuadër të procedurave ligjore, për të gjitha shkeljet që janë bërë, do të përgatisë edhe komentet e nevojshme dhe do ta dorëzojë padinë në UEFA, si dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS).
Trajneri i Rumanisë- Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje ka folur edhe trajneri i kombëtares rumune, i cili i druhet një vendimi në tavolinë:
“Natyrisht që nuk duam të humbim ndeshjen. Të humbim kualifikimin në tavolinë nuk do të ishte në rregull. Ka tifozë që na kanë përkrahur vazhdimisht dhe kërkoj prej tyre nga thellësia e zemrës të vazhdojnë para dhe të fokusohen në përkrahjen e ekipit kombëtar”, përfundoi Eduard Jordanesku. Ndërkaq, edhe ‘El Mundo Deportivo’ ka raportuar se Rumania ka shanse që të humbasë ndeshjen në tavolinë për këtë incident të ndodhur në Bukuresht.

Lini një Përgjigje