TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Mars 2026, 17:31

Tensionet në Lindjen e Mesme prekin edhe Formula 1, kalendari reduktohet në 22 gara; 5 javë “pushim” për pilotët

Shkruar nga Pamfleti

Tensionet në Lindjen e Mesme prekin edhe Formula 1, kalendari reduktohet

Sezoni 2026 i Formula 1 pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme, pasi dy gara të planifikuara në Bahrein dhe Arabinë Saudite gjatë muajit prill janë anuluar. Si pasojë, numri i përgjithshëm i garave për këtë sezon pritet të ulet në 22.

Sipas kalendarit fillestar, Çmimi i Madh i Bahreinit ishte planifikuar të zhvillohej më 10-12 prill si raundi i katërt i sezonit. Një javë më pas, nga 17 deri më 19 prill, ishte parashikuar të zhvillohej gara në Xhedah të Arabisë Saudite.

Arsyeja e anulimit

Vendimi lidhet me situatën e tensionuar të sigurisë në Lindjen e Mesme. Bahreini dhe Arabia Saudite janë ndër vendet e Gjirit që janë prekur nga sulmet iraniane, të cilat erdhën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të kryera nga SHBA dhe Izraeli në kuadër të konfliktit rajonal.

Sipas burimeve të “Sky Sports News”, garat e planifikuara në këto dy vende do të anulohen dhe nuk pritet të zëvendësohen nga gara të tjera në kalendarin e ngjeshur të Formula 1, i cili shtrihet nga marsi deri në dhjetor.

Qendrimi i organizatorëve

Siguria e ekipeve, pilotëve dhe stafit mbetet shqetësimi kryesor për Formula 1 dhe Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA). Megjithatë, situata e paqendrueshme në rajon nuk ka treguar përmirësim ditët e fundit.

Deri tani, si Formula 1 ashtu edhe FIA kanë refuzuar të komentojnë zyrtarisht mbi këtë çështje.

Ndryshime në kalendar

Anulimi i garave të prillit do të krijojë një ndërprerje 5-javore në kalendarin e kampionatit. Kjo periudhë do të jetë mes Çmimit të Madh të Japonisë, që zhvillohet më 27-29 mars si raundi i tretë i sezonit, dhe Çmimit të Madh të Majamit, i planifikuar për 1-3 maj.

Situata aktuale e kampionatit

Aktualisht, Formula 1 ndodhet në Shangai për zhvillimin e Çmimit të Madh të Kinës. Në këtë pistë, piloti Xhorxh Rasëll ka siguruar “pole position” për garën Sprint të së shtunës, e cila zhvillohet në orën 03:00. Ndërkohë, kualifikimet kryesore dhe gara e së dielës do të zhvillohen në orën 07:00.

formula 1 çmimi i madh i bahreinit çmimi i madh i arabisë saudite

Lini një Përgjigje