
“Dita e së vërtetës” për Kombëtaren shqiptare dhe tifozët kuqezi po afron. Shqipëria do të përballet me Poloninë më 26 mars në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës, në një sfidë që pritet të jetë vendimtare për ecurinë e ekipit.
Trajneri Silvinjo nuk e ka publikuar ende listën e lojtarëve të grumbulluar, ndërsa situata në prag të ndeshjes paraqitet e ndërlikuar për shkak të disa dëmtimeve dhe problemeve fizike në skuadër.
Ende nuk ka një konfirmim nëse sulmuesi Rei Manaj do të jetë i gatshëm për këtë përballje. Ndërkohë, Armando Broja është rikthyer në stërvitje vetëm së fundmi, pasi qendroi më shumë se një muaj jashtë fushave për shkak të një dëmtimi.
Gjendje jo të mirë fizike raportohet të ketë edhe Mirlind Daku. Trajneri i Rubin Kazan ka bërë të ditur se sulmuesi nuk është në formën optimale, çka shton dyshimet për aktivizimin e tij në këtë ndeshje.
Në të njëjtën kohë, edhe kuotat e basteve tregojnë një avantazh në rritje për Poloninë. Sipas përditësimeve të fundit, koeficienti për fitoren e Shqipërisë ka shkuar në 5.50, nga 4.33 që ishte disa javë më parë. Ndërkohë, kuota për fitoren e përfaqësueses polake është ulur nga 1.73 në 1.60.
Megjithatë, rezultati përfundimtar do të vendoset në fushë. Për skuadrën e drejtuar nga Silvinjo, kjo përballje mund të përcaktojë nëse kuqezinjtë do të vazhdojnë rrugëtimin drejt fazës së radhës apo nëse aventura do të mbyllet që në sfidën e parë.

Lini një Përgjigje