
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, është rikthyer në stërvitje me ekipin e tij Rubin Kazan në Rusi, duke rritur shpresat për rikuperimin e plotë përpara ndeshjes së ardhshme të Shqipërisë.
Në një “story” të publikuar së fundmi në rrjetin social Instagram, futbollisti 28-vjeçar shihet duke u stërvitur në fushë me skuadrën e tij. Pamjet sugjerojnë se gjendja e tij fizike mund të jetë përmirësuar pas shqetësimit për një problem muskulor.
Vetëm pak ditë më parë, trajneri i Rubin Kazan, Franc Artiga, kishte ngritur dyshime për gjendjen e lojtarit, duke deklaruar se dëmtimi muskulor i Dakut nuk ishte i lehtë dhe paraqiste shqetësim.
Megjithatë, rikthimi i tij në stërvitje lë të kuptohet se sulmuesi mund të jetë një opsion për trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, në ndeshjen Poloni-Shqipëri që do të zhvillohet më 26 mars, nëse ai konsiderohet i gatshëm për t’u aktivizuar.
Përballja me Poloninë ka një domethënie të veçantë për Dakun. Në ndeshjen e zhvilluar në vitin 2023 ndaj polakëve, e fituar nga Shqipëria me rezultatin 2-0, ai realizoi golin e tij të parë me fanelën kuqezi. Daku u aktivizua në minutën e 62-të dhe vetëm pak sekonda më vonë arriti të shënojë, duke ndezur entuziazmin e tifozëve në stadiumin “Air Albania”.
Lini një Përgjigje