
Janë zhvilluar ndeshjet e para të ditës në kuadër të fazës së 1/16-ve të Ligës së Europës, me disa përballje që prodhuan rezultate të rëndësishme përpara sfidave të kthimit.
Në përballjen mes dy skuadrave të Serisë A, të zhvilluar në stadiumin “Renato Dall’Ara”, Bolonja dhe Roma u ndanë në barazim 1-1. Të dy golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë.
Bolonja kaloi e para në avantazh në minutën e 50-të, kur Federiko Bernardeski realizoi me një goditje të saktë me të majtën brenda zonës. Roma reagoi në minutën e 71-të, kur Lorenco Pelegrini, i aktivizuar nga stoli, barazoi rezultatin pas asistit të Doniel Malen.
Ndërkohë, Porto arriti një fitore të rëndësishme 1-2 në transfertë ndaj Shtutgartit. Skuadra portugeze shënoi dy herë brenda gjashtë minutash në pjesën e parë, me golat e Terem Mofi në minutën e 21-të dhe Rodrigo Mora në minutën e 27-të. Të dy realizimet erdhën pas gabimeve në prapavijën e skuadrës gjermane, fillimisht nga portieri dhe më pas nga mbrojtja.
Shtutgarti reagoi në minutën e 40-të me golin e Deniz Undav, i cili përfundoi me saktësi një aksion të gjatë të skuadrës vendase. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2 për Porton, ndërsa në pjesën e dytë rezultati mbeti i pandryshuar.
Fitore në transfertë mori edhe Aston Vila, që mposhti Lilën me rezultatin minimal 0-1. Golin e vetëm të takimit e shënoi Oli Uotkins në pjesën e dytë.
Në ndeshjen e zhvilluar në Athinë, Panathinaikosi triumfoi 1-0 ndaj Betis. Goli vendimtar u shënua në minutat e fundit nga Visente Taborda, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Lini një Përgjigje