TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Mars 2026, 19:33

Historia thërret Berat Gjimshitin, kapiteni i kombëtares kalon legjendën e Atalantës

Shkruar nga Pamfleti

Historia thërret Berat Gjimshitin, kapiteni i kombëtares kalon

Humbja e thellë 1-6 ndaj Bajernit të Mynihut në Ligën e Kampioneve nuk është një ndeshje që tifozët e Atalantës do ta kujtojnë me kënaqësi. Skuadra bergamaske u shpërbë përballë gjermanëve, duke pësuar një nga humbjet më të rënda në këtë kompeticion.

Megjithatë, për mbrojtësin shqiptar Berat Gjimshiti kjo ndeshje shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij me klubin italian. Aktivizimi në pjesën e dytë të takimit ishte paraqitja e tij e 324-t zyrtare me fanelën e Atalantës.

Me këtë shifër, Gjimshiti ngjitet i vetëm në vendin e pestë në renditjen e futbollistëve me më shumë ndeshje në historinë e klubit bergamask, duke konsoliduar statusin e tij si një nga figurat më të rëndësishme të Atalantës në vitet e fundit. Ai ka lënë pas me një ndeshje më pak ish-kapitenin legjendar të klubit dhe ish-futbollistin e kombëtares italiane, Kristiano Doni.

Tashmë mbrojtësi shqiptar ka përpara një tjetër emër të madh të historisë së klubit, Valter Bonacina, i cili numëron vetëm tre ndeshje më shumë me Atalantën.

Gjimshiti vazhdon të jetë gjithashtu një nga lojtarët më të aktivizuar të klubit edhe në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë. Ndeshja ndaj Bajern Mynih ishte e 38-ta për të në Ligën e Kampioneve, duke e bërë futbollistin e dytë me më shumë paraqitje në këtë turne për Atalantën, pas mesfushorit Marten de Run.

berat gjimshiti kapiteni i kombëtares atalanta

Lini një Përgjigje