TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 2 Korrik 2026, 11:31

Shqipëria e lodhur nga oligarkia: Revolta e papritur që po sfidon Edi Ramën dhe gjithë kastën e vjetër

Shkruar nga Valerio Renzi
Shqipëria e lodhur nga oligarkia: Revolta e papritur që po sfidon Edi
Pamje nga Protesta /

Mes dyshimeve për pastrim parash dhe resorteve të luksit të dhëndrit të Trump, një lëvizje e re po kërkon fundin e tranzicionit dhe rrëzimin e të dy krahëve të vjetër politikë.

Tirana sot! Rrugëve sheh njerëz me bluza ku shkruhet “I meet you at the protest” (Shihemi në protestë) - një ftesë për pjesëmarrje, por edhe shenjë e një zakoni të ri urban.

Takimi është lënë në orën 19:00, sapo nis të bjerë vapa mbytëse e ditës. Protestuesit vërshojnë ngadalë drejt godinës së Kryeministrisë dhe qëndrojnë aty deri vonë në mbrëmje. Ka nga ata që vijnë me të gjithë familjen, të tjerë që kanë lënë takim me miqtë, e disa që nisen vetëm, të sigurt se aty do të gjejnë dikë të njohur.

Skena e protestës është thjesht një drejtkëndësh betoni i rrethuar me karrige. Kushdo që dëshiron të flasë, ngjitet në një shkallë të lëkundshme dhe merr mikrofonin. Policia qëndron larg sheshit, duke mbajtur një qëndrim më se diskret.

Deri më tani qeveria, nuk po vë bast te shtypja e dhunshme, por te konsumi: shpreson që njerëzit të lodhen dhe të shpërndahen vetë. Kjo revoltë, e pagëzuar si “Lëvizja e Flamingove”, shpërtheu krejt papritur, pasi është gjithmonë e pamundur të parashikosh se cila do të jetë pika që do të mbushë gotën.

Në Shqipëri, ky shpërthim erdhi pas dhunës policore ndaj aktivistëve që kundërshtonin nisjen e punimeve në zonën e mbrojtur të Nartës, pranë ishullit të Sazanit. Atje, nën dritën jeshile të qeverisë së Edi Ramës dhe në shpërfillje të plotë të rregullave mjedisore, ka nisur projekti për ndërtimin e një resorti luksoz.

Pas tij qëndron një kompani e kontrolluar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump dhe një figurë kyçe në diplomacinë e biznesit dhe të raporteve personale të ish-presidentit amerikan. Nuk është rastësi që mes kandidatëve për të hyrë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”, Shqipëria është pozicionuar në radhë të parë.

Edi Rama mban pushtetin që nga viti 2013, duke u ofruar shqiptarëve një pakt të heshtur: zhvillim ekonomik dhe integrim europian, në këmbim të lirisë së plotë në menaxhimin e shtetit.

Mirëpo, ky zhvillim u mbështet pothuajse tërësisht mbi spekulimet imobiliare dhe turizmin e luksit, duke pasuruar të njëjtët njerëz. Kushdo që e ka vizituar Tiranën dhjetë vjet më parë, sot do të gjente një qytet të panjohshëm: rrokaqiejt kanë mbirë kudo dhe qendra ka marrë pamjen e një metropoli dinamik perëndimor.

“Rama nuk është kryeministër, por menaxher i një lavanderie!”- thotë duke qeshur një djalosh i mbështjellë me flamurin kuqezi, duke bërë me shenjë nga kullat e reja të Tiranës.

Dyshohet se paratë që po ngrenë pallatet dhe resortet në bregdet janë kapitale të krimit të organizuar që kanë nevojë për pastrim, të fshehura pas firmave të studiove prestigjoze të arkitekturës europiane dhe nën syrin vigjilent të oligarkisë qeverisëse, e cila garanton me shpejtësi leje ndërtimi dhe shpronësime.

Sapo bie mbrëmja, sheshi ndizet nga turma. Një bandë frymore luan një version shqiptar të këngës “Bella Ciao”, ndërsa një vargan me flamingo prej gome çan përmes turmës. “Rama n’burg! Berisha n’burg!” është një nga koret më të zhurmshme e më të përsëritura.

Pra këtu problemi shkon përtej resortit të Kushner. Diçka është thyer thellë në shoqërinë shqiptare dhe vështirë se mund të ngjitet më. Ajo që kërkojnë protestuesit është përmbyllja e plotë e tranzicionit nga regjimi socialist drejt një demokracie të vërtetë.

Ata kërkojnë dorëheqjen e Ramës, por e thonë troç se nuk duan as rivalin e tij të përjetshëm, 82-vjeçarin Sali Berisha. Dëgjohen edhe thirrje si “Iku komunizmi!”, sepse rrotacioni i pushtetit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike shihet si një garë mes pasardhësve dhe bijve të bllokut të vjetër komunist.

Kjo oligarki e vjetër sot është ricikluar në një elitë të re që di të lëvizë me mjeshtëri mes flukseve globale të parave të ligjshme e të paligjshme, e gatshme të përulet para çdo sponsori ndërkombëtar.

Grumbullimi përpara Kryeministrisë zhvendoset në marshim. “Duan të na thyejnë me lodhje, por ne nuk lodhemi”, thonë ata. A do të japë dorëheqjen Rama? Disa ngrenë supet, disa shpresojnë, e të tjerë janë të bindur se ai thjesht do të vazhdojë ta injorojë lëvizjen.

Por çfarë vjen më pas? “Njëherë për njëherë le të fitojmë betejën e sotme”, është përgjigja më e zakonshme.

Lëvizja ka hartuar tashmë një dokument ku kërkohet një qeveri tranzitore 12-mujore që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kjo qeveri teknike do të ketë për detyrë të ndryshojë Kushtetutën (për ta kaluar më pas në referendum popullor), të kufizojë pushtetin e kryeministrit, të reformojë ligjin për financimin e partive dhe Kodin Zgjedhor, si dhe të shfuqizojë të gjitha ato ligje speciale përmes të cilave, siç thonë ata, “qeveria po e shet Shqipërinë te ofertuesi më i lartë”.

Brezi i ri që po thyen monopolet

Në pak ditë është e vështirë të përcaktosh saktë profilet e të gjithë pjesëmarrësve. Ajo që është e sigurt, është se ky shpërthim erdhi falë një rrjeti aktivistësh të rinj e të guximshëm, të cilët rezultuan shumë më pak të izoluar nga shoqëria sesa mendonin edhe vetë.

Vitet e fundit, këta të rinj janë kalitur duke kundërshtuar shpronësimet e zonave të mbrojtura natyrore për resorte luksoze, duke luftuar hendekun e madh të pabarazive në Tiranë (ku strehimi është kthyer në një krizë serioze), si dhe duke protestuar kundër Protokollit për Emigrantët të nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë.

Janë të njëjtët aktivistë që përpara se të ngrinin zërin kundër Ramës, udhëhoqën marshimet në solidaritet me Palestinën. Zanafilla e tyre politike daton në vitin 2019, gjatë protestave studentore kundër reformës në arsim. Shumë prej tyre studiuan jashtë vendit dhe tani janë kthyer për të luftuar për më shumë të drejta në shtëpi.

Ata janë bërthama më e politizuar në një shesh që gjithsesi flet me shumë gjuhë dhe që nuk mund të shndërrohet brenda natës në një parti politike apo listë zgjedhore. Kjo frymë e re ndihet edhe jashtë sheshit të protestës.

“Nuk mund të rrish në pushtet gjithë jetën. Unë nuk e di çfarë vjen pas tij, por mjaft më me Ramën. Duhet vënë një kufi për mandatet”, thotë pronari i një restoranti elegant në Tiranë, ndërsa pret faturën, duke konfirmuar se është plotësisht në krah të lëvizjes.

“Protestat? Sapo mbyll lokalin, shkoj edhe unë!”, përgjigjet ai. Partitë e vogla opozitare marrin pjesë në mobilizim, por qëndrojnë një hap pas, pasi lëvizja është pozicionuar qartë kundër korrupsionit të të gjithë sistemit politik tradicional.

“Albania is not for sale” (Shqipëria nuk është në shitje) është pankarta e tyre që bëri xhiron e botës. Aty gjen hapësirë partia e re e së majtës, Lëvizja Bashkë, aktivistët e së cilës shpresojnë që ky vrull të thyejë monopolin e vjetër të përfaqësimit.

Por në shesh ka edhe grupime të qendrës së djathtë që refuzojnë të rreshtohen pas Berishës.

Ora shënon 23:00 dhe baret e Tiranës janë plot e përplot. Nga dritaret dhe tavolinat e jashtme shpërthejnë duartrokitje të gjata drejt marshuesve të zhurmshëm, të cilët ua kthejnë përshëndetjen.

Nga kreu i marshimit shpërndahen kartonë të gjelbër që tunden në ajër si të ishin kartëmonedha. “A i doni edhe këto?”, është pyetja retorike që protestuesit u drejtojnë rrokaqiejve dhe zyrave të qeverisë, ku dikush nga lart i vështron i shqetësuar./Përgatiti në shqip: Pamfleti

 

shqipëria e lodhur nga oligarkia revolta

Lini një Përgjigje