TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 1 Korrik 2026, 11:11

A do të kemi një “Pranverë Ballkanike”?

Shkruar nga Angela Di Berardino & Giulia Mariani

A do të kemi një “Pranverë Ballkanike”?

Sheshet shqiptare nuk ishin mbushur kaq plot që prej viteve 1990. Pas tri dekadash apatie, mbarë Ballkani Perëndimor duket se po përjeton një “pranverë” të gjatë të zgjimit politik. Në ballë të kësaj vale protestash qëndron Brezi Z, i angazhuar në kauza ambientaliste dhe në betejën kundër korrupsionit...

“Shqipëria nuk është në shitje. Fundi juaj erdhi!”-  shkruhet me shkronja kapitale në një parullë të varur në ballkonin e Universitetit të Tiranës. Mbi të është vizatuar një flamingo që mban në kthetra një burrë me syze të rrumbullakëta: Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

Një muaj më vonë, “Revolucioni i Flamingove” vazhdon të qëndrojë i fortë. Lëvizja lindi për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz nga Affinity Partners - kompania e investimeve në pronësi të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump - në Zvërnec, brenda rezervatit natyror Vjosa-Nartë, ku kanë foletë dhjetëra specie të mbrojtura shpendësh.

Çdo ditë, pavarësisht valës së të nxehtit ekstrem që ka përfshirë vendin, dhjetëra mijëra qytetarë marshojnë paqësisht në rrugët e kryeqytetit. Mbrojtja e mjedisit u bë shkëndija e një lëvizjeje shumë më të gjerë politike.

Protestat shpejt u zgjeruan me denoncime për krizën në shëndetësi, arsim dhe shërbimet publike, deri te akuzat për korrupsion sistemik. Sot, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike që të pastrojë parlamentin nga korrupsioni dhe shfuqizimin e ligjeve për investimet strategjike, nga të cilat sipas tyre, po përfiton edhe Kushner.

Në turmë janë bashkë të rinj, të moshuar dhe prindër me fëmijë të vegjël. Për këta të fundit janë improvizuar kënde lojërash pranë pikave të grumbullimit: disa dërrasa e kartonë të shtrirë në tokë, lapsa me ngjyra, lodra dhe vullnetarë që kujdesen për fëmijët, në mënyrë që prindërit të mund të ndjekin fjalimet.

Protestave u është bashkuar edhe diaspora shqiptare, me mijëra emigrantë që kanë mbërritur nga Italia, Gjermania dhe vende të tjera. Gjatë një fjalimi, aktivistja Sidorela Vatnikaj prezantoi “Albanian Files”, një dosier voluminoz që pritet t'i dorëzohet SPAK-ut (Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit).

Dokumenti përmban akuza për korrupsion ndaj një pjese të madhe të klasës politike, përfshirë edhe opozitën, si dhe përshkruan mekanizmat e pushtetit përmes të cilëve, sipas Vatnikajt, Rama “kujton se mund të sillet si mbret”.

Që nga demonstratat masive të viteve 1990 për rrëzimin e regjimit komunist, sheshet shqiptare nuk kishin parë një mobilizim të tillë. Pas tridhjetë vitesh apatie politike, i gjithë Ballkani Perëndimor duket se po hyn në një fazë të re.

Zhurma e bilbilave në Tiranë i përgjigjet asaj të shesheve serbe. Atje protestat shpërthyen rreth njëzet muaj më parë, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, tragjedi që u mori jetën 16 personave dhe për të cilën qeveria nuk mori përgjegjësi politike.

Mosbesimi ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiç është aq i madh, sa që protestat vazhduan edhe pasi presidenti premtoi dorëheqjen më 27 qershor, nga frika se zgjedhjet e parakohshme do të ishin thjesht një farsë.

Në Bullgari, në dhjetor 2025, një valë protestash çoi në rrëzimin e kryeministrit Rossen Zhelyazkov. Në mars 2026, Bosnjë-Hercegovina u trondit pasi dalja nga shinat e një tramvaji të amortizuar shkaktoi vdekjen e 23-vjeçarit Erdoan Morankić.

Tani radha duket se i ka ardhur Shqipërisë. Emilija Milenkovic, aktiviste serbe dhe studente e Shkencave Politike në Beograd, shpjegon: “Lëvizja studentore në Serbi është një burim i pastër frymëzimi. Ajo buron nga një dëshirë e thellë për ndryshim dhe nga emocione që njerëzit i kanë mbajtur të shtypura për vite me radhë”.

Edhe pse ende nuk mund të flitet për një lëvizje të vetme transballkanike - për shkak të nacionalizmave dhe plagëve të hapura që lidhen me luftërat e viteve 1990 dhe pavarësinë e Kosovës - format e protestës serbe po përhapen me shpejtësi përmes rrjeteve sociale.

Në Instagram po qarkullon gjerësisht një video ku aktivistë nga Bosnja, Serbia, Sllovenia dhe Mali i Zi, me këmbët në lumin Neretva, thërrasin njëzëri: “Duart larg nga Vjosa-Narta! Duart larg nga Ballkani!”.

Mes tyre është edhe Aida Kapetanovic, ambientaliste boshnjake dhe ish-studiuese në Scuola Normale Superiore të Pizas, Itali. “Kufijtë tanë janë shumë më porozë sesa mendohet; njerëzit i kalojnë për të mbështetur njëri-tjetrin. Nën sipërfaqe, ky rrjet solidariteti ekziston prej vitesh. Në fund të fundit, ndajmë të njëjtën histori dhe një kulturë politike të ngjashme”.

Një deklaratë mbështetëse erdhi edhe nga Aleanca Rajonale për Mbrojtjen e Natyrës në Ballkan: “Pylli nuk mund ta ngrejë zërin kur pritet, as zogjtë nuk mund të votojnë. Pemët e Zvërnecit nuk mbrohen dot vetë. Prandaj duhet të flasin njerëzit, para se të jetë vonë. Kjo betejë është pjesë e një përplasjeje më të madhe mes interesit publik dhe një modeli zhvillimi që e sheh natyrën vetëm si burim fitimi, me bekimin e elitave politike lokale. Miqve tanë në Shqipëri u themi: Nuk jeni vetëm!”.

“Ajo që po shohim në Shqipëri, Kroaci dhe Serbi tregon se nuk kemi të bëjmë me ngjarje të izoluara, por me shfaqje të së njëjtës revoltë kundër korrupsionit dhe status quo-së’- shton Milenkovic.

Ndërsa Kapetanovic nënvizon rolin vendimtar të brezit të ri: “Gjenerata që po udhëheq këto lëvizje është e para e lindur pas luftërave të viteve 1990. Ata nuk janë të ngarkuar me narrativat nacionaliste që për dekada e mbajtën rajonin të përçarë. Për herë të parë po shohim një dëshirë të përbashkët për të kthyer faqen”.

Edhe pse në Shqipëri mungojnë ende format më radikale të protestës, si plenumet studentore apo bllokimet afatgjata të universiteteve, memet virale dhe pankartat kanë arritur të krijojnë ura komunikimi mes shoqërive që historikisht kanë pasur pak dialog.

Mediat tradicionale shpesh i kanë injoruar ose denigruar këto lëvizje, ndërsa rrjetet sociale po thyejnë këtë izolim. “Këta të rinj janë krijues përmbajtjesh (content creators) drejtpërdrejt nga sheshi", thotë Kapetanovic.

Një nga fotografitë më të shpërndara në rrjet mban mbishkrimin ironik: “Ivanka Trump - Kolomb, ky nuk është oqeani!”. Mesazhi është i qartë: kjo tokë, njësoj si ajo që dikur u konsiderua “e zbuluar”, ka tashmë zotët e saj dhe ata nuk kanë ndërmend të largohen./Pamfleti nga “L'Espresso”

 

a do të kemi një pranverë ballkanike

Lini një Përgjigje