Protestuesit janë nisur drejt hyrjes anësore të Kuvendit, pasi janë sinjalizuar ose kanë pikasur se nga dera anësore e Kuvendit po dalin deputetë me makinat e tyre.
Por ata janë bllokuar nga policia që qëndron gardh.
Forcat e rendit vijojnë të qëndrojnë “gardh” në hyrje të pedonales, ndërsa në ndihmë të tyre është edhe makina me ujë për të shpërndarë turmën në rast se do të ketë përshkallëzim të situatës.
Ndërkohë më herët kanë hedhur vezë dhe miell në drejtim të mjeteve, por edhe efektivëve të policisë.
Më herët 5 protestues kishin arritur të kalojnë kordonin e sigurisë dhe nisën të sulmojnë deputetët e PS, çka bëri që policia të ndërhyrje menjëherë për shoqërimin e tyre. Mes të ndaluarve është edhe Gent Progni.
Makinës së kryetarit të Kuvendit, iu hodh miell e vezë. Ndërsa të tjerë socialistë futeshin në sallë, si Ardit Bido, Ervin Demo apo Blendi Klosi protestuesit që ndodheshin jashtë perimetrit të sigurisë, nga larg hodhën vezë për t’i sulmuar por nuk ia arritën. Por ndryshe u pritën deputetët e opozitës, të cilët ndërsa kalonin pranë protestuesve dëgjoheshin vetëm thirrjet “opozitë e shitur”.
Situata u tensionua edhe më shumë pas shoqërimeve të protestuesve. Të tjerët u mblodhën rreth gardhit metalik dhe arritën ta heqin. Policët krijuan një kordon por u përballën me sulme me vezë e sende të forta. Një polic përfundoi i lënduar pasi u qëllua me gurë në kokë. Deri më tani janë dy policë dhe dy protestues që po marrin mjekim në Spitalin e Traumës.
Lini një Përgjigje