Protesta para Kuvendit është përshkallëzuar edhe më tej, pasi një grup protestuesish ka sulmuar një automjet të Policisë së Shtetit, duke i thyer xhamat me një gardh metalik.
Ngjarja ndodhi pak pasi forcat e policisë përdorën gaz lotsjellës dhe shpërndau ujë më autobot në drejtim të protestueve në përpjekje për të shpërndarë turmën, për të liruar rrugën para parlamentit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë protestues që godasin automjetin e policisë me barrierat metalike të hequra gjatë protestës, duke shkaktuar dëmtime në xhamat e mjetit.
Ndërkohë bëhet me dije se disa protestues të tjerë janë shoqëruar në komisariat pas incidenteve të fundit. Bëhet fjalë për valën e dytë të shoqërimeve gjatë protestës së sotme. Më herët, gjatë përplasjeve të para mes protestuesve dhe forcave të rendit pranë Kuvendit, policia kishte shoqëruar edhe tetë persona. Autoritetet pritet të japin një bilanc të përditësuar mbi numrin e të shoqëruarve dhe masat e marra pas incidenteve.
Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit vijojnë përpjekjet për të mbajtur nën kontroll protestuesit. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me incidentin apo mbi persona të ndaluar pas sulmit ndaj automjetit policor.
Protesta e kësaj të enjteje është shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës, hedhje gurësh, vezësh dhe sendeve të forta, si dhe disa persona të lënduar nga të dyja palët.
Lini një Përgjigje