Përplasjet mes protestuesve dhe policisë u zhvendosën edhe në një lokal pranë Kuvendit, ku forcat e rendit ndërhynë pak para nisjes së seancës parlamentare të së enjtes.
Sipas pamjeve të publikuara, një numër i madh efektivësh hynë në ambientet e lokalit dhe shoqëruan disa persona që ndodheshin brenda. Protestuesit u nxorën nga lokali dhe u dërguan drejt automjeteve të policisë për t'u transportuar në komisariat.
Pamjet tregojnë momente të ndërhyrjes së policisë, ku disa nga personat e shoqëruar largohen me forcë nga ambientet e lokalit. Në video shihen edhe përplasje gjatë momentit të shoqërimit.
Ndërhyrja erdhi pas incidenteve të regjistruara më herët jashtë Kuvendit, ku protesta u shoqërua me tensione mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Situata në zonën përreth Parlamentit mbeti e tensionuar për disa orë, ndërsa policia vijoi kontrollet dhe shoqërimet për të mbajtur nën kontroll sigurinë.
Deri në atë moment nuk kishte një njoftim zyrtar nga autoritetet mbi numrin e saktë të personave të shoqëruar apo arsyet konkrete të ndërhyrjes në ambientet e lokalit.
Lini një Përgjigje