
Cristiano Ronaldo dhe Luka Modriç janë gati të përballen në një sfidë që mund të shënojë fundin e një epoke në futbollin botëror. Portugalia dhe Kroacia do të zbresin në fushë në orën 01:00 në stadiumin e Torontos, në një ndeshje vendimtare për kualifikimin në fazën e 1/8-ve të Kupës së Botës 2026.
Megjithëse rëndësia e sfidës është e madhe për të dyja kombëtaret, vëmendja do të jetë e përqendruar te dy veteranët, të cilët mund të luajnë ndeshjen e tyre të fundit në një Botëror.
Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të sfidojë vitet dhe të mbetet një nga protagonistët e Portugalisë. Sulmuesi ka shënuar deri tani dy gola në këtë edicion dhe synon të udhëheqë ekipin drejt fazës tjetër, në kërkim të trofeut të vetëm që ende mungon në palmaresin e tij Kupës së Botës.
Në anën tjetër, Luka Modriç mbetet lideri dhe pika e referimit për Kroacinë. Mesfushori kërkon të udhëheqë kombëtaren e tij drejt një tjetër suksesi në skenën më të madhe të futbollit, pas finaleve të arritura në vitin 2018 dhe vendit të tretë në vitin 2022, edhe pse ka pranuar se ky mision është më i vështirë se në edicionet e kaluara.
Përtej rëndësisë së rezultatit, kjo sfidë do të sjellë përballë dy prej futbollistëve më të mëdhenj të brezit të tyre. Ronaldo dhe Modriç kanë fituar së bashku 67 trofe gjatë karrierës, janë shpallur fitues të "Topit të Artë" dhe kanë ndarë për vite me radhë sukseset me fanellën e Real Madridit, ku u bënë protagonistë të dominimit në futbollin europian.
Nga bashkëlojtarë në rivalë për 90 minuta, dy legjendat pritet të dhurojnë një tjetër duel të nivelit të lartë, në atë që mund të jetë përballja e tyre e fundit në një Kupë Bote. Në Toronto, historia e futbollit mund të fitojë një kapitull të ri.
Lini një Përgjigje