Një 80-vjeçar në Salento të Italisë është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg, pasi u shpall fajtor për dhunë në familje dhe plagosje ndaj bashkëshortes së tij shqiptare dhe dy fëmijëve të saj.
Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për pesë vjet. Po ashtu, i dënuari do të paguajë një dëmshpërblim paraprak prej 25 mijë eurosh për bashkëshorten dhe djalin e mitur, si dhe 10 mijë euro për vajzën madhore. Shuma përfundimtare e dëmshpërblimit do të përcaktohet në një fazë të mëvonshme.
Sipas hetimeve, ngjarja nisi pasi i moshuari solli në Itali gruan shqiptare, shumë më të re në moshë, së bashku me dy fëmijët e saj nga një lidhje e mëparshme, duke i premtuar një jetë më të mirë dhe një familje të re. Megjithatë, sipas akuzës, premtimet u shndërruan shpejt në një periudhë të gjatë dhune dhe keqtrajtimi.
Prokuroria pretendon se nga viti 2017 deri në maj 2021, 80-vjeçari ushtroi dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikologjike ndaj familjes. Ai kontrollonte lëvizjet e bashkëshortes dhe të dy fëmijëve të saj, nuk i lejonte të dilnin nga shtëpia, të ndiqnin rregullisht shkollën apo të kishin kohë të lirë. Sipas dosjes hetimore, ai i detyronte të zgjoheshin në orët e para të mëngjesit për të pastruar apartamentet që jepeshin me qira.
Sipas prokurorisë, dhuna shoqërohej edhe me fyerje dhe kërcënime të vazhdueshme. Ai u thoshte viktimave: "Ose largoheni, ose ju vras", "Jeni qen, jeni parazitë që ju mbaj në shtëpi dhe ju ushqej", si dhe "Unë vendos gjithçka këtu dhe ju jeni qentë të cilëve u jap për të ngrënë."
Një nga episodet më të rënda ndodhi në tetor të vitit 2017, kur djali, atëherë 6 vjeç, u godit me forcë dhe u përplas pas një kaloriferi. Si pasojë, ai pësoi një plagë në kokë me humbje të madhe gjaku dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Tricases.
Sipas akuzës, në vitet pasuese i moshuari ushtroi dhunë edhe ndaj vajzës, të cilën e goditi me shuplaka në disa raste. Në një episod tjetër, ai e ndoqi deri në plazh duke e fyer dhe duke e kërcënuar se do ta godiste me gur.
Kur bashkëshortja i kërkoi ndarjen, ai dyshohet se tentoi ta mbyste duke i vënë duart në fyt dhe duke i thënë se do ta vriste. Në një rast tjetër, ai kërcënoi edhe djalin e mitur me fjalët: "Kur të vijë mami në shtëpi, thuaji të marrë ata të dy dhe të largoheni që këtej, përndryshe do t'ju vras të treve."
Hetimet nisën pas paraqitjeve të përsëritura të gruas dhe vajzës së saj në urgjencën e spitalit të Tricases, ku mjekët konstatuan lëndime të dyshuara si pasojë e dhunës në familje.
Lini një Përgjigje