TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Korrik 2026, 14:57

Hetimet për komentet negative ndaj bizneseve, Berisha: Rama është i tmerruar nga protestat, po vepron si Ajatollahët

Shkruar nga Pamfleti
Hetimet për komentet negative ndaj bizneseve, Berisha: Rama është
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me hetimin e nisur nga Policia e Shtetit për një fushatë online kundër bizneseve të afërta me qeverinë, në kuadër të së cilës po verifikohen mbi 10 mijë profile të dyshuara si false.

Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se hetimi është urdhëruar nga kryeministri Edi Rama, të cilin e akuzoi se është i frikësuar nga protesta që po vijon prej më shumë se një muaji.

“I tmerruar nga uragani i protestës rinore e qytetare, i damkosur brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama urdhëroi së fundmi narkopolicinë e tij dhe shërbimin informativ të policojnë veprimtarinë digjitale dhe rrjetet sociale të protestuesve, në fakt të mbarë qytetarëve.”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve u shpreh se Partia Demokratike e konsideron të pacenueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur lirshëm mendimin dhe opinionin e tij në rrjetet sociale, pavarësisht objektit të komenteve apo personave ndaj të cilëve drejtohen.

Sipas Berishës, fushata që paraqitet si një nismë kundër përshtypjeve negative është organizuar nga, sipas tij, “narkoinstitucionet” dhe “patronazhistët”, me synimin për të goditur pjesëmarrësit në protestë.

“Nën pretekstin e identifikimit të autorëve të këtyre përshtypjeve negative, kërkohet të gjendet një shkak për të vendosur një policim të plotë, digjital dhe masiv të veprimtarisë online të qytetarëve”, shtoi ai, duke e krahasuar këtë veprim me praktikat e regjimit në Iran.

“Me policimin digjital, po përgatitet terreni që ashtu siç bëri me TikTok-un dhe duke ndjekur shembullin e Ajatollahëve të bllokohen mijëra llogari dhe, po qe e mundur, rrjetet sociale në tërësi.”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje