Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen "Erdogan" në Laç, ku mbeti i vrarë Ilir Gjini, rreth 40 vjeç.
Ndërkohë është publikuar edhe fotoja e autorit të dyshuar, Emiljan Suti, i njohur edhe me identitetin Artur Suti, i cili është shpallur në kërkim nga Policia.
Sipas të dhënave hetimore, Gjini, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, është qëlluar me shtatë plumba. Ngjarja ka ndodhur menjëherë pasi ai kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte. Edhe pse ka tentuar të largohet, autori e ka ndjekur dhe e ka qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës. Viktima ndërroi jetë gjatë transportimit drejt spitalit.
Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar dhe viktima banonin në të njëjtën lagje.
Emiljan (Artur) Suti rezulton person me precedentë penalë. Ai është dënuar më parë me pesë vite burg për veprën penale "kanosje për shkak të detyrës", ndërsa ka precedent edhe për armëmbajtje pa leje. Po ashtu, ai ka qenë i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.
Në vitin 2011, Suti i shpëtoi një atentati pranë Komisariatit të Policisë në Kurbin. Ai është vëllai i Gentian Sutit, i arrestuar më parë për vepra të ndryshme penale, përfshirë trafik droge, vjedhje dhe vrasje. Në vitin 2019, dy vëllezërit Suti, së bashku me një kushëri të tyre, u përfshinë në vrasjen e kushërinjve Mikel dhe Jani Jushi.
Po ashtu, në vitin 2010, Artur dhe Gentian Suti u arrestuan pasi akuzoheshin se kishin hapur zjarr ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit. Ata u hetuan për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" në tentativë ndaj punonjësve të policisë, si dhe për "mbajtje pa leje të armëve luftarake", "fyerje për shkak të detyrës" dhe "mosbindje ndaj urdhrit të policisë".
Prokuroria kërkoi dënimin e Artur Sutit me 21 vite burg dhe të Gentian Sutit me 20 vite burg. Megjithatë, Gjykata rrëzoi akuzën për tentativë vrasjeje ndaj punonjësve të policisë dhe i dënoi për veprat penale të "kanosjes", "mosbindjes ndaj urdhrit të policisë" dhe "armëmbajtjes pa leje", duke i dhënë Artur Sutit pesë vite burg dhe Gentian Sutit katër vite burg.
Viktima, Ilir Gjini, ishte me origjinë nga Miloti dhe banonte në Laç. E kaluara e tij është ende duke u verifikuar nga grupi hetimor.
Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të lidhet me aktivitetin e tij jashtë vendit, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e motivit të krimit.
Lini një Përgjigje