TAGS-AT E JAVËS

Forum10 Korrik 2026, 08:43

BDI, një “shkollë e vjetër” me akademi të re politike!

Shkruar nga Emin Azemi

BDI, një “shkollë e vjetër” me akademi të re

Elita e vjetër politike funksionon si një kastë klerikësh të një feje gjeopolitike, të cilët premtojnë parajsën e ardhshme vetëm e vetëm që besimtarët e thjeshtë të mos vënë re pasojat e avarive strategjike- partiake. Për rrjedhojë, pyetja që shtrohet përpara shoqërisë civile, mediave dhe atyre që synojnë të përfaqësojnë  elitën e re politike,  nuk është më se "çfarë duhet të bëjmë", por "si duhet të guxojmë". Misioni historik i brezit të ri të intelektualëve nuk është të bëhen përkthyesit e radhës të dëshirave të liderit, por të bëhen zëri i nevojave të brendshme të këtij populli dhe i transformimit të rrënjësishëm të mendësisë partiake-politike.

Për të thyer magjinë e ligjërimeve elitare që vijnë nga selitë e partive të vjetra, mendimi i lirë dhe opozitarizmi i ri duhet ta zbresin debatin nga retorika e lartë qiellore te terreni i zhveshur i jetës së përditshme. Për më shumë se dy dekada, hapësira jonë publike është dominuar nga një lloj ekuilibrizmi gjuhësor, ku paaftësia qeverisëse dhe dështimet strukturore janë fshehur pas mureve të larta të fiskulturave gjeopolitike. Sa herë që kemi patur një reformë të dështuar në shëndetësi, sa herë që spitalet janë kthyer në magazina të harresës dhe shkollat janë zbrazur nga mungesa e perspektivës, regjia e dritave artificiale të partive tradicionale ka prodhuar një tjetër "krizë ekzistenciale" kombëtare ose një premtim të ri për integrim të menjëhershëm. Kjo lloj politike nuk ka prodhuar zgjidhje, ajo ka prodhuar vetëm një shmangie të qëllimshme të vetëdijes, duke përdorur shkëlqimin e Brukselit për të mbuluar errësirën e spitaleve dhe shkollave tona.

Në bërthamën e këtij sistemi qëndron edhe BDI, një “shkollë e vjetër” me akademi të re politike (!). Ligjërimi i tyre është një ushtrim akademik pa substancë, i cili flet për "standarde evropiane" ndërkohë që qytetari-votues është përballur me standardet e mbijetesës. Ironia qëndron në faktin se sa më shumë kanë folur për integrim në BE, aq më shumë është shtuar klientelizmi në terren. Elita e vjetër politike funksionon si një kastë klerikësh të një feje gjeopolitike, të cilët premtojnë parajsën e ardhshme vetëm e vetëm që besimtarët e thjeshtë të mos vënë re pasojat e avarive strategjike- partiake.

Sfidimi i vërtetë ndaj këtyre doktrinave pa busullë fillon pikërisht atëherë kur shoqëria civile dhe elita e re intelektuale e zhveshin integrimin europian nga alibia e dështimeve dhe e kthejnë atë në një betejë për dinjitetin e prekshëm të qytetarit. Për vite me radhë, çdo kritikë ndaj bashkëqeverisjes së BDI-s- me partite tjera maqedonase që nuk arritën të stabilizojë statusin kushtetues të shqiptarëve, është etiketuar me shpejtësi si "anti-perëndimore" ose si një rrezik për agjendat e mëdha integruese. Kjo ka qenë mburoja perfekte e një klase politike që përdorte flamurin e Bashkimit Evropian për të mbuluar vrimat e zeza të mosllogaridhënies. Është një strategji e menduar mirë: "Na lini në errësirën tonë, sepse përndryshe fiket drita e orientimit tonë gjeopolitik".

Kjo lojë cic-micesh ka arritur kulmin e saj ironik me atë që mund ta quajmë "paradoksi i njëzet përqindëshit". Çështjet kryesore të identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve,  janë shndërruar në numra, përqindje dhe formula matematikore brenda paragrafeve ligjore, duke e ambalazhuar thelbin e tyre njerëzor dhe historik. Kur gjuha, kultura dhe të drejtat themelore të një populli trajtohen si mallra tregtie në tavolinat e bisedimeve politike, rezultati nuk është kurrë emancipimi, por një nënshtrim i ri nën dritën e projektorëve të huaj. Ky është evropianizimi që eklipson dinjitetin kombëtar, një iluzion optik ku shkëlqimi i ligjeve evropiane në letër zbeh dhe fsheh mjerimin e të drejtave në praktikë.

Rreziku i vërtetë për shoqërinë vjen nga ky institucion i vetëshpallur si "shkollë e partisë", një lloj akademie e absurdit ku politikanët e vjetër, të cilët kanë ngecur te abetarja sa i përket kulturës së leximit dhe vizionit shtetformues, pretendojnë të edukojnë brezin e ri. Është një skenë sa tragjike, aq edhe komike: njerëz që librin e fundit (“Maçoku me çizme”) e kanë lexuar në shekullin e kaluar, dhe atë me shumë gjasa me detyrim, marrin pozën e profesorëve të iluminuar për të ligjëruar mbi "gjeopolitikën moderne" dhe "vlerat perëndimore".

Çfarë mund të mësojnë kuadrot e reja nga kjo "shkollë" e skëterrës intelektuale? Mesazhi që u përcillet nën rrogoz është i qartë: harroni gjithçka që keni mësuar nëpër universitete apo në faqet e librave seriozë. Në këtë akademi të servilizmit, mësimi i parë dhe i vetëm është bindja e verbër ndaj liderit suprem. Pyetja që shtrohet para këtyre të rinjve është një udhëkryq ekzistencial: a duhet t'i kthehen abetarës së vjetër të partisë, duke mësuar përmendsh militanitizmin para profesionalizmit dhe oportunizmin para meritokracisë, apo duhet të ndjekin algoritmet e modeleve të reja politike euro-atlantike?

Fatkeqësia është se shumë intelektualë të rinj, sapo prekin korridoret e këtyre "shkollave", pranojnë të shndërrohen në hije dekorative të kësaj çadre  të madhe të cirkusit politik-partiak. Në vend që të sjellin dinamikën e mendimit kritik, efikasitetit teknologjik dhe meritokracisë evropiane, ata zgjedhin të bëhen analfabetët e rinj funksionálë të oborrit. Ata ulen të dëgjojnë me respekt "leksionet" e ustallarëve të vjetër të tenderëve dhe bisedvae të imoralshme telefonike, duke shpresuar se të përsëritësh si papagaj ato dy ose tri fraza të vetme që ka abetarja e partisë, një ditë do të marrin edhe ata një copë pushtet.

Për të kuptuar thellësinë e këtij fenomeni politiko-patologjik, duhet të analizojmë mekanizmin me të cilin kjo elitë e vjetër e mban shoqërinë në një gjendje të përhershme verbimi optik. Ky mekanizëm funksionon përmes një shkëmbimi asimetrik ku qytetarit i kërkohet të dorëzojë të sotmen e tij të prekshme në këmbim të një të ardhmeje të projektuar në ekranet e propagandës. Kur nene të caktuara abrogohen nga Gjykata Kushtetuese , pasojat e këtij degradimi “ejakulohen” në konferenca shtypi, ku kënaqësia zgjat aq sa vazhdon euforia e militantëve partiak. Ky është kulmi i cinizmit të elites së vjetër, që buron nga ‘shkolla akademike’ partiake, ndërkohë që realiteti prodhon historinë e palavdishme të një zhgënjimi.

Ironia bëhet edhe më therëse kur shohim se si ky akademizëm i sipërfaqshëm përdoret si një instrument i ri edukimit politik. Çdo zë mospajtues, çdo kërkesë që kërkon shpjegime lidhur me statusin joshtetformues të shqiptarëve, si derivate të ligjeve gjysmake, prapambetjes ekonomike të komunave shqiptare, fuqizimin e militantëve në vend të profesionistëve etj., trajtohet si një heretizëm i rrezikshëm. "Mos bëni zhurmë se na sheh Evropa," ishte refreni i censurës modern dhe ky lloj ligjërimi e kthen Brukselin nga një destinacion vlerash dhe standardesh, në një gogol gjeopolitik që përdoret për të trembur ata që kërkojnë status që tejkalon dimensionin politik e etnik të pakicave. .

Sot po jetojmë në momentin kur skenografia e partive tradicionale ka filluar të tregojë çarjet e saj të para të mëdha. Në bisedat private apo në zyrat e tyre pompoze, ata mund të krenohen për "akademinë e tyre politike", por përballë realitetit ata mbeten thjesht një strukturë që po zhgënjehet nga gara jo e ndershme brendapartiake. Kuadrot që pretendojnë se do të jenë e ardhmja e partisë duhet ta kuptojnë se standardet e botës euro-atlantike nuk pranojnë asnjë kompromis me analfabetizmin e vjetër politik. Ndryshimi nuk vjen duke ri-lexuar abetaren e dështimeve tona, por duke shkruar një kapitull të ri, ku dija dhe pragmatizmi zënë vendin e idhujve dhe miteve të vjetra partiake.

Për rrjedhojë, pyetja që shtrohet përpara shoqërisë civile, mediave dhe atyre që synojnë të përfaqësojnë  elitën e re politike,  nuk është më se "çfarë duhet të bëjmë", por "si duhet të guxojmë". Misioni historik i brezit të ri të intelektualëve nuk është të bëhen përkthyesit e radhës të dëshirave të liderit, por të bëhen zëri i nevojave të brendshme të këtij populli dhe i transformimit të rrënjësishëm të mendësisë partiake-politike. Vetëm atëherë kur dinjiteti kombëtar të mos jetë më një hije e eklipsuar nga dritat artificiale të evropianizimit kozmetik, por një realitet i prekshëm, i ndritshëm dhe i sigurt në jetën e çdo qytetari të thjeshtë, do të mund të themi se kemi thyer vërtet magjinë e ligjërimeve elitare.

bdi

Lini një Përgjigje