Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje kryebashkiakëve dhe drejtuesve socialistë që të mos e interpretojnë rritjen e kërkesave të qytetarëve si shenjë negativiteti.
Gjatë prezantimit të programit "Rilindja Urbane 2.0", ai theksoi se shoqëria shqiptare ka ndryshuar dhe sot pret standarde më të larta nga institucionet.
Sipas Ramës, krahasimi me situatën e viteve më parë tregon se pritshmëritë janë rritur paralelisht me përmirësimet që janë bërë në infrastrukturë dhe shërbimet publike.
"Mjafton një rubinet që fishkëllen, një video që bëhet virale dhe duket sikur e gjithë Shqipëria është pa ujë. Dikur mjaftonte një lulishte në qendër të qytetit dhe njerëzit të shikonin sikur u kishe sjellë material nga hëna. Sot e kërkojnë lulishten në çdo pikë ku jetojnë. Nuk është mosmirënjohje. Është pritshmëri", u shpreh kryeministri.
Ai solli edhe shembuj të tjerë për të ilustruar ndryshimin e standardeve, duke përmendur rehabilitimin e lumenjve urbanë dhe transformimin e zonave që dikur ishin të ndotura.
"Lana dhe çdo lloj kanali që rridhte nëpër qytete, mjafton të mos dilte nga shtrati dhe ishte në rregull, pa pyetur askush se në çfarë katandie e pisllëku ishte. Sot kjo nuk mjafton. Gjanica nga një turp dhe pisllëk është kthyer në një aset urban", deklaroi Rama.
Kryeministri foli edhe për transportin publik dhe menaxhimin e mbetjeve, duke theksuar se kërkesat e qytetarëve kanë evoluar.
"Dikur, përpara Rilindjes Urbane, furgonat ishin normaliteti. Lufta për t'i hequr furgonat ishte sikur luftoje Covid-in me grushta. Sot as nuk bëhet fjalë që njerëzit të jenë të kënaqur me transportin publik, duhet nivel tjetër. Dikur nuk ishte problemi se si përpunoheshin mbetjet, por kur do vinte makina e plehrave që vinte një herë në javë. Sot shqetësimi është si përpunohen mbetjet", tha ai.
Në përfundim, Rama u ndal te perceptimi për klimën publike, duke theksuar se politika kërkon aftësi për të kuptuar ndryshimin e pritshmërive të qytetarëve.
"Kush mendon që shoqëria është bërë më negative, nuk duhet të merret me politikë sepse nuk e përballon dot atë që e percepton si negativitet. Sot kush merret me këtë punë duhet thjesht dhe vetëm të kuptojë që shoqëria është bërë më kërkuese. Se si e shpreh shoqëria, është një tjetër temë", përfundoi kryeministri.
Lini një Përgjigje