
Rajo Vajekao ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në çerekfinalet e Ligës së Konferencës. Skuadra spanjolle, ku aktivizohet mbrojtësi i kombëtares shqiptare Ivan Balliu, triumfoi në transfertë ndaj turqve të Samsunspor me rezultatin 3-1, duke marrë një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në “Vajekas”.
Skuadra spanjolle kaloi në avantazh në minutën e 15-të me Alemao. Samsunspor reagoi shpejt dhe barazoi shifrat në 1-1 me golin e Marius. Megjithatë, pak para përfundimit të pjesës së parë, Garcia riktheu avantazhin për Rajon duke çuar rezultatin në 2-1. Në minutën e 78-të, Alemao realizoi golin e dytë personal, duke vulosur fitoren 3-1 për ekipin spanjoll.
Një hap të rëndësishëm drejt çerekfinaleve bëri edhe Shaktar Donjeck. Skuadra ukrainase fitoi në Poloni ndaj Leh Poznan me rezultatin 3-1. Marlon Gomes zhbllokoi rezultatin në minutën e 36-të, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Njurton dyfishoi avantazhin për Shakhtarin, duke e çuar rezultatin në 2-0. Leh Poznan rihapi përkohësisht ndeshjen në minutën e 70-të me golin e Ishak, por ukrainasit reaguan shpejt dhe shënuan edhe golin e tretë me Isak Silva për rezultatin përfundimtar 3-1.
Fitore në transfertë arriti edhe Strasburgu, që mundi Rijekën në Kroaci me rezultatin 2-1, duke marrë një avantazh të rëndësishëm për takimin e kthimit. Golat për skuadrën franceze u shënuan nga Paniçeli dhe Godo, nga një në secilën pjesë, ndërsa vendasit vetëm sa ngushtuan diferencën me Majstoroviç.
Ndërkohë, Alkmar fitoi në shtëpi ndaj Spartës së Pragës me rezultatin 2-1. Protagonist për skuadrën holandeze ishte Parrot, autor i të dy golave për ekipin e tij, ndërsa për Spartën e Pragës shënoi Vojta, duke vendosur përkohësisht baraspeshën në 1-1.
Ndeshjet e kthimit të kësaj faze në Ligën e Konferencës do të zhvillohen javën e ardhshme.
Lini një Përgjigje