Etnik Brruti është zyrtarisht futbollist i Hajdukut të Splitit. Klubi kroat ka konfirmuar afrimin e mesfushorit shqiptar përmes një njoftimi në faqen zyrtare, duke bërë të ditur se 22-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2029.
Brruti transferohet te Hajduku si lojtar i lirë, pas përfundimit të bashkëpunimit me Malishevën, skuadër me të cilën zhvilloi një sezon mjaft pozitiv. Mesfushori regjistroi 35 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 9 gola dhe 5 asiste, statistika që tërhoqën vëmendjen e disa klubeve në rajon.
Fillimisht u raportua se destinacioni i tij i ardhshëm mund të ishte Rijeka, por Hajduku i Splitit arriti të sigurojë shërbimet e futbollistit, në një marrëveshje të finalizuar nga drejtuesit e klubit kroat.
Për Brrutin, kjo është eksperienca e parë jashtë futbollit kosovar. Në Split ai do të gjejë edhe futbollistët shqiptarë Ron Raçi dhe Adrion Pajaziti, faktor që pritet të lehtësojë procesin e përshtatjes në ambientin e ri.
Mesfushori ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe e përfaqësueses U-21, ndërsa konsiderohet një nga talentet më premtuese të brezit të tij. Kalimi në kampionatin kroat shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e karrierës së tij.
Reagimet pas firmës
Drejtori sportiv i Hajdukut të Splitit, Robert Graf, vlerësoi potencialin e futbollistit pas zyrtarizimit të marrëveshjes.
“Jemi shumë të lumtur të mirëpresim Etnik Brrutin dhe mezi presim të ndjekim zhvillimin e tij në sezonet e ardhshme. Etniku konsiderohej një nga talentet më premtuese të kampionatit ku luante më parë, me potencial të madh dhe shumë hapësirë për t’u zhvilluar edhe më tej. Ardhja e tij përfaqëson një përforcim të rëndësishëm për skuadrën tonë, me synimin për të rritur konkurrencën në ekipin e parë dhe për të forcuar repartin e mesfushës. Besojmë se cilësia, mentaliteti dhe ambicia e tij do të përshtaten në mënyrë perfekte me ambientin tonë dhe mezi presim ta ndihmojmë në rrugëtimin e tij të mëtejshëm. I urojmë shumë fat me fanellën tonë”.
Nga ana e tij, Brruti shprehu entuziazmin për nisjen e aventurës së re në Kroaci.
“Jam i lumtur dhe krenar që do të luaj për këtë klub të madh me histori të pasur. Mezi pres të nis aventurën time këtu, të njoh bashkëlojtarët, tifozët dhe të gjithë njerëzit e klubit. Kam ndjekur ndeshjet e Hajdukut dhe e di që skuadra ka shumë cilësi. Dua të jap kontributin tim për ekipin në të ardhmen. Jam i vetëdijshëm që shumë lojtarë nga Shqipëria dhe Kosova kanë luajtur më parë për Hajdukun. Kam folur me disa prej tyre dhe të gjithë kanë folur fjalët më të mira për klubin, ambientin dhe tifozët. Jam vërtet shumë i lumtur që do të jem pjesë e Hajdukut”.
Transferimi i Brrutit konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e tij dhe një investim me perspektivë për Hajdukun e Splitit, që synon të forcojë repartin ofensiv të mesfushës me një lojtar të ri dhe me potencial zhvillimi.
Lini një Përgjigje