Edlir Tetova është zyrtarisht trajneri i ri i Teutës. Klubi durrsak konfirmoi këtë të premte emërimin e teknikut në krye të skuadrës, duke vulosur një marrëveshje që prej ditësh konsiderohej e pritshme.
Në njoftimin zyrtar, Teuta e cilësoi rikthimin e Tetovës si një kthim në vendin ku ai hodhi hapat e parë në futboll.
“Klubi i Futbollit Teuta ka kënaqësinë të prezantojë zyrtarisht z. Edlir Tetova në krye të pankinës sonë. Një rikthim aty ku nisi gjithçka, i gatshëm për të udhëhequr skuadrën drejt objektivave dhe sukseseve të reja. I urojmë punë të mbarë dhe suksese në krye të ekipit”, thuhet në reagimin e klubit.
Videoja e prezantimit përmbyllet me një mesazh të vetë trajnerit: “U riktheva aty ku hodha hapat e parë për futbollin. Bashkë për gjithçka”.
Tetova vjen te Teuta pas një periudhe të suksesshme me Egnatian, skuadër me të cilën arriti të fitojë trofetë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar. Megjithatë, objektivi që mbeti i parealizuar ishte kualifikimi në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane.
Me emërimin e Tetovës, Teuta synon të ndërtojë një projekt ambicioz për sezonin e ri, me rikthimin në garën për titullin kampion si objektivin kryesor. Drejtuesit e klubit i kanë besuar trajnerit kampion detyrën për të udhëhequr skuadrën drejt një etape të re suksesi.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje