Arsenali ndodhet vetëm një hap larg një suksesi historik dhe trajneri Mikel Arteta është i bindur se përballë PSG-së në finalen e Champions League, diferencën do ta bëjë aftësia për të sjellë vazhdimisht ide dhe zgjidhje të reja.
Në prag të finales së madhe europiane, e cila do të luhet nesër në orën 18:00 në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest, tekniku spanjoll u shfaq optimist për formën e ekipit të tij, duke theksuar se Arsenali tashmë synon më shumë sesa thjesht paraqitje pozitive.
“Duhet të gjejmë mënyra të tjera për të fituar dhe qasje të ndryshme nga ato të mëparshmet. Kjo është ajo që kemi bërë deri më tani”, deklaroi Arteta.
Pas fitimit të Premier League, “Topçinjtë” synojnë të kompletojnë një sezon të jashtëzakonshëm duke fituar për herë të parë në histori trofeun e Champions League. Arteta pranoi se këtë sezon kishte ndjerë një atmosferë të veçantë brenda grupit.
“Në vitet e mëparshme ishim afër, por gjithmonë mungonte diçka. Këtë herë atmosfera ishte ndryshe që nga fillimi. Ishim të bindur se mund të arrinim shumë larg”, u shpreh ai.
Trajneri spanjoll theksoi gjithashtu rëndësinë e aspektit psikologjik në rrugëtimin e skuadrës drejt finales.
“Puna ime ishte t’i bindja lojtarët se janë më të mirët. U dhashë energji dhe i shtyva ta shijonin futbollin si kurrë më parë”, tha trajneri i Arsenalit.
Në finalen e shumëpritur, londinezët do të masin forcat me PSG-në e drejtuar nga Luis Enrique, për të cilin Arteta rezervoi vlerësime të veçanta.
“E kujtoj me shumë dashuri mënyrën si i trajtonte lojtarët e rinj. Si trajner, ai tregoi lidership të jashtëzakonshëm. Pavarësisht kritikave, vazhdoi të besonte te filozofia e tij dhe në fund fitoi. Është një shembull për të gjithë”, deklaroi Arteta për bashkëkombasin spanjoll.
Arsenali ka mbërritur tashmë në Budapest, ku gjatë ditës së sotme do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në “Puskas Arena”, ndërsa finalja e së shtunës pritet me interes të madh nga tifozët e futbollit në mbarë botën.
Lini një Përgjigje