Çdo lamtumirë sjell emocione të përziera, por për tifozët e Majorkës ndarja e mundshme me Vedat Muriqin pritet të jetë veçanërisht e dhimbshme. Edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar për të ardhmen e sulmuesit kosovar, gjithçka lë të kuptohet se aventura e tij në ishull po shkon drejt fundit.
Pavarësisht rënies së Majorkës nga elita e futbollit spanjoll, Muriqi zhvilloi një sezon mbresëlënës duke realizuar 23 gola. Forma e tij e ka kthyer atë në një nga asetet më të vlefshme të klubit në merkato, ndërsa vetëm mesfushori portugez Samu Kosta konsiderohet pranë nivelit të tij për sa i përket vlerës në treg.
Një nga faktorët që e bën të vështirë qendrimin e Muriqit në kategorinë e dytë është paga e tij e lartë. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, raportimet mediatike flasin për një pagë prej rreth katër milionë eurosh bruto në sezon. Sulmuesi është i mbrojtur nga një klauzolë largimi prej afro 40 milionë eurosh, por drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se ofertat reale pritet të jenë më të ulëta për shkak të situatës sportive dhe financiare pas rënies nga kategoria.
Sipas mediave spanjolle, Muriqi nuk do ta përjashtonte një rikthim në Turqi, ndonëse ka shprehur vazhdimisht kënaqësinë për jetën dhe eksperiencën e tij në Majorka. Fenerbahçe mbetet një nga klubet më të interesuara për kartonin e tij dhe raportohet se ka paraqitur oferta financiare shumë më të larta sesa ato që mund të ofrojë aktualisht Majorka. Interes për sulmuesin kosovar ka shfaqur edhe Gallatasarai, sidomos gjatë periudhës kur klubi turk po shqyrtonte alternativa për Mauro Ikardin.
Vetë Muriqi ka pranuar në intervista të ndryshme se ka marrë oferta edhe nga klubet e Lindjes së Mesme, por deri tani ka preferuar të mbështetet te faktorët sportivë dhe personalë në vendimmarrjen e tij. Ai ka zbuluar gjithashtu se interesim ka pasur edhe nga skuadra spanjolle që do të marrin pjesë në garat evropiane sezonin e ardhshëm.
Ndër emrat më të mëdhenj të lidhur së fundmi me sulmuesin kosovar është edhe Barcelona. Trajneri Hansi Flik vlerëson profilin e Muriqit dhe thuhet se nuk do të ishte kundër afrimit të një sulmuesi me eksperiencë dhe besueshmëri, që mund të ofrojë alternativa në repartin ofensiv të kampionëve të La Ligës.
Lini një Përgjigje