Nejmar Zhunior ka pësuar një dëmtim muskulor në pulpë, që pritet ta mbajë larg fushave për rreth dy deri në tre javë, duke ngritur dyshime mbi gatishmërinë e tij për ndeshjet e ardhshme të Brazilit në Kupën e Botës.
Sulmuesi brazilian kishte tentuar të minimizonte shqetësimet për gjendjen e tij fizike, pasi mungoi në tre ndeshjet e fundit të Santosit. Pak ditë më parë, teksa ndiqte nga tribuna fitoren e ekipit të tij në Copa Sudamericana, Nejmar deklaroi se nuk kishte arsye për alarm.
Megjithatë, ekzaminimet mjekësore kanë nxjerrë në pah një situatë më serioze. Federata Braziliane e Futbollit konfirmoi se lojtari ka pësuar një dëmtim të shkallës së dytë në pulpë, diagnozë e verifikuar edhe përmes rezonancës magnetike.
Mjeku i kombëtares braziliane, Rodrigo Lasmar, bëri të ditur se Nejmar iu nënshtrua kontrolleve të nevojshme në qendrën stërvitore të ekipit në Rio de Zhaneiro, por nuk ka zhvilluar stërvitje me skuadrën dhe pritet të qëndrojë jashtë për disa javë.
Dëmtimi vjen në një moment delikat për Brazilin, vetëm pak ditë përpara nisjes së Kupës së Botës. Pjesëmarrja e Nejmar në ndeshjen hapëse ndaj Marokut më 13 qershor mbetet në dyshim, ashtu si edhe aktivizimi i tij në dy miqësoret përgatitore kundër Panamasë dhe Egjiptit.
Edhe në rast se rikuperohet në kohë, mbetet e paqartë nëse Nejmar do të jetë menjëherë titullar në formacionin e trajnerit të Brazilit.
Lini një Përgjigje