Kukësi do të vazhdojë të jetë pjesë e Kategorisë së Parë edhe sezonin e ardhshëm, pasi mposhti me rezultatin 2-0 Butrintin në ndeshjen “play-out” të zhvilluar në stadiumin “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.
Skuadra verilindore zhbllokoi sfidën në minutën e 40-të me anë të Oliveira Dos Santos, duke mbyllur pjesën e parë në avantazh minimal. Vetëm pak sekonda pas nisjes së fraksionit të dytë, Abiodun realizoi golin e dytë, që rezultoi vendimtar për fatin e takimit.
Butrinti u përpoq të reagonte dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës për të rihapur sfidën. Në një ndeshje të luftuar dhe me tension të lartë, Kukësi administroi avantazhin deri në fund, duke siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë.
Të dy skuadrat kishin humbur më herët ndaj Bylis B në fazën “play-out”, por për shkak të rënies së ekipit të parë të Bylisit nga Superliga në Kategorinë e Parë, u krijua një vend vakant. Federata vendosi zhvillimin e një ndeshjeje shtesë mes Kukësit dhe Butrintit për të përcaktuar ekipin që do të plotësonte këtë vend.
Me këtë fitore, Kukësi shmang rënien dhe ruan statusin në Kategorinë e Parë, ndërsa Butrinti rikthehet në Kategorinë e Dytë, ku sezonin e ardhshëm do të synojë rikthimin mes ekipeve profesioniste.
Lini një Përgjigje