Ivan Balliu e ka mbyllur me zhgënjim mbrëmjen e së mërkurës, pasi Rajo Vajekano u mund 1-0 nga Kristal Palas në finalen e Ligës së Konferencës.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili prej kohësh ka lënë të hapur mundësinë për të reflektuar mbi vazhdimin e tij me kuqezinjtë, reagoi një ditë pas finales me një postim emocional në rrjetet sociale.
“Nuk njoha fitore më të madhe, se sa me ty në një humbje. Mirënjohje e përjetshme”, shkroi Balliu në postimin e tij.
Mesazhi ishte ai që tifozët e Rajo Vajekanos shpalosën në tribunë në fund të sfidës së humbur ndaj Kristal Palas, duke treguar mbështetjen dhe vlerësimin për skuadrën pavarësisht rezultatit.
Finalja u mbyll me një tjetër zhgënjim për klubin spanjoll, ndërsa Balliu e përfundoi mbrëmjen me medaljen e finalistit, pa arritur të ngrejë trofeun europian.

Lini një Përgjigje