Një dëshmi tronditëse nga bota e krimit italian ka rikthyer në vëmendje periudhën e errët të Italisë gjatë viteve ’80 dhe ’90. Sipas raportimit të “Corriere dello Sport”, ish-anëtari i mafias italiane, Xhampaolo Mança, ka zbuluar se legjenda e Milan-it, Marko van Basten, kishte qenë objekt i një plani për rrëmbim.
Mança ka deklaruar se ideja ishte organizuar nga krimineli i njohur italian Renato Valanzaska, i cili ia kishte rrëfyer planin gjatë kohës kur të dy ndodheshin në burg. Sipas tij, grupi kriminal kishte ndjekur për muaj të tërë ish-sulmuesin holandez, me synimin për ta rrëmbyer dhe për të kërkuar më pas një shumë të madhe parash si shpërblim.
Dëshmia pretendon se operacioni kishte hyrë në një fazë të avancuar organizimi dhe përgatitjet kishin vazhduar për një periudhë të gjatë. Megjithatë, plani nuk u vu kurrë në zbatim.
Sipas Mança-s, arsyeja e anulimit ishte e pazakontë. Valanzaska, i njohur si tifoz i zjarrtë i Milanit, nuk dëshironte që një veprim i tillë të dëmtonte klubin kuqezi dhe t’i jepte avantazh rivalëve të Interit.
Rrëfimi ka ngjallur reagime të shumta në Itali, duke rikthyer diskutimet mbi ndikimin e grupeve kriminale në atë periudhë, kur figura të njohura të sportit dhe jetës publike shpesh konsideroheshin objektiva të mundshëm të organizatave kriminale.
Lini një Përgjigje