Ceremonia prestigjioze e “Topit të Artë” do të zhvillohet këtë vit për herë të parë në Londër, në kuadër të 70-vjetorit të krijimit të çmimit më të rëndësishëm individual në futbollin botëror.
Edicioni i këtij viti është planifikuar të mbahet më 26 tetor në kryeqytetin anglez, duke thyer traditën e organizimit në Paris. Vendimi i organizatorëve vjen si një homazh për Stanli Metjus, futbollistin legjendar anglez që fitoi “Topin e Artë” të parë në histori në vitin 1956.
Sipas organizatorëve, zgjedhja e Londrës lidhet ngushtë me simbolikën historike të Metjus, i konsideruar si një prej figurave më të mëdha të futbollit botëror. Ish-lojtari i Stok Sitit dhe Blekpullit zhvilloi më shumë se 800 ndeshje gjatë karrierës së tij dhe triumfoi në FA Cup me Blekpullin në vitin 1953.
Ceremonia e “Topit të Artë” ka ndryshuar disa herë vendndodhje ndër vite. Gjatë periudhës së bashkëpunimit mes FIFA-s dhe organizatorëve të çmimit, eventi është zhvilluar edhe në Zyrih, ndërsa në vitet e fundit ishte rikthyer në Paris. Në një prej edicioneve, ceremonia u organizua pranë Kullës Eiffel.
Organizatorët kanë lënë të hapur mundësinë që edhe në të ardhmen ceremonia të zhvillohet jashtë Francës, duke reflektuar karakterin gjithnjë e më ndërkombëtar të çmimit.
Aktualisht, fituesi në fuqi i “Topit të Artë” për meshkuj është Osmane Dembele, ndërsa te femrat trofeu mbahet nga Aitana Bonmati.
Ndër favoritët për të fituar çmimin këtë vit përmendet edhe kapiteni i Anglisë, Herri Kejn, pas një sezoni të shkëlqyer me gola. Në listën e kandidatëve kryesorë janë gjithashtu edhe emra si Lamin Jamal, Deklan Rajs dhe Majkëll Olize.
Lini një Përgjigje