Masimiliano Alegri është shumë pranë rikthimit në pankinë dhe destinacioni i tij i ardhshëm pritet të jetë Napoli. Vetëm pak ditë pas largimit nga Milani, trajneri italian ka arritur marrëveshje me klubin napolitan për të marrë drejtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Sipas raportimeve të gazetarit Xhanluka Di Marcio, negociatat mes presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentis dhe Alegrit janë intensifikuar ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit, duke çuar palët drejt marrëveshjes finale.
Alegri pritet të pasojë Antonio Konten, i cili u largua nga Napoli me vullnet të lirë, edhe pse kishte ende një vit kontratë me klubin.
Megjithatë, përpara zyrtarizimit mbetet edhe një procedurë për t’u përmbyllur. Trajneri duhet fillimisht të zgjidhë në mënyrë formale kontratën ekzistuese me Milanin dhe më pas pritet të vijë komunikata zyrtare nga të dy klubet.
Mediat italiane raportojnë se Alegri ka pranuar ofertën e De Laurentis, i cili pas largimit të Kontes kërkonte një trajner me përvojë dhe emër të madh për të vazhduar projektin e Napolit.
Sipas marrëveshjes, Alegri do të firmosë një kontratë deri në verën e vitit 2028. Ai pritet të përfitojë rreth 5 milionë euro në sezon, ndërsa marrëveshja parashikon edhe bonuse shtesë.
Me kalimin te Napoli, Alegri rikthehet edhe në Ligën e Kampionëve, kompeticion ku Milani nuk arriti të sigurojë kualifikimin sezonin e fundit.
Lini një Përgjigje