Spanjë 1982 do të mbetet një nga kampionatet botërore më të veçanta në historinë e futbollit. Italia u shpall kampione e botës pas një pritjeje 44-vjeçare, ndërsa turneu shënoi edhe një moment historik për vetë Kupën e Botës, pasi për herë të parë morën pjesë 24 skuadra, në vend të 16 që kishin konkurruar deri atëherë.
Suksesi italian erdhi nën drejtimin e trajnerit Enzo Bearzot, me Paolo Rosin si figurën më të spikatur të ekipit. Sulmuesi italian u kthye në simbolin e triumfit të “Azzurrëve”, duke udhëhequr skuadrën drejt trofeut të tretë botëror.
Një Botëror në hijen e konfliktit Falkland
Kampionati nisi vetëm dy ditë pas përfundimit të luftës mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe për Ishujt Falkland. Megjithëse britanikët dolën fitues në konflikt, skuadra angleze nuk arriti të përsëriste suksesin në fushën e futbollit, duke u eliminuar në gjysmëfinale nga Gjermania Perëndimore.
Edhe Argjentina kampione në fuqi nuk mundi të shkonte larg. Bashkë me Brazilin, ajo u ndal nga Italia e Paolo Rosit, i cili realizoi katër nga pesë golat që vulosën eliminimin e dy gjigantëve të futbollit botëror.
Europa dominon pjesëmarrjen
Në Botërorin e vitit 1982, Europa kishte përfaqësimin më të madh me 13 skuadra, pa llogaritur Spanjën organizatore. Amerika e Jugut dhe e Veriut përfaqësoheshin me katër ekipe, ndërsa Afrika, Azia dhe Oqeania kishin nga dy përfaqësuese secila.
Mes mungesave të mëdha spikaste Holanda, nënkampione e botës në dy edicionet e mëparshme, e cila nuk arriti të sigurojë kualifikimin. Në të kundërt, Anglia rikthehej në skenën botërore pas një mungese të gjatë.
Fillimi i vështirë i italianëve
Turneu nisi me surpriza. Argjentina u mposht nga Belgjika në ndeshjen hapëse, ndërsa Gjermania Perëndimore humbi papritur ndaj Algjerisë me rezultatin 2-1.
Italia, nga ana tjetër, nuk e nisi aspak bindshëm. “Azzurrët” barazuan të tre ndeshjet e grupit dhe siguruan kalimin në raundin tjetër vetëm falë golavarazhit. Pak kush mund të imagjinonte se kjo skuadër, që vuante për të fituar një ndeshje, do të ngrinte trofeun në fund të turneut.
Ndërkohë, Gjermania Perëndimore arriti të siguronte një vend në finale pas një gjysmëfinale dramatike kundër Francës së Michel Platinit, të fituar pas kohës shtesë dhe goditjeve të penalltive.
Finalja e Madridit
Më 11 korrik 1982, në stadiumin “Santiago Bernabéu” të Madridit, Italia dhe Gjermania Perëndimore u përballën për titullin botëror.
Italianët u gjendën përballë vështirësive që në minutat e para, kur Francesco Graziani u detyrua të largohej i dëmtuar. Pak më vonë, Antonio Cabrini humbi një penallti, duke shtuar tensionin në kampin italian.
Megjithatë, në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi. Në minutën e 57-të, Paolo Rosi zhbllokoi rezultatin. Më pas Marco Tardelli realizoi golin e dytë pas një aksioni të bukur kolektiv, ndërsa Alessandro Altobelli vulosi fitoren me golin e tretë.
Gjermanët arritën të shënonin vetëm golin e nderit me Paul Breitner. Ndeshja përfundoi 3-1 dhe Italia u shpall kampione e botës për herë të tretë në histori.
Paolo Rosi, heroi i Spanjës 1982
Paolo Rosi ishte padyshim figura kryesore e këtij Botërori. I lindur në Prato në vitin 1956, ai nisi karrierën te të rinjtë e Juventusit, por shpërtheu te Vicenza, ku talenti i tij u vu re nga i gjithë futbolli italian.
Në vitin 1981 u rikthye te Juventusi dhe një vit më vonë shkroi historinë në Kupën e Botës. Me gjashtë gola, ai u shpall golashënuesi më i mirë i turneut dhe lojtari më i spikatur i kompeticionit.
Rosi realizoi tre gola kundër Brazilit në fazën e dytë të grupeve, dy gola ndaj Polonisë në gjysmëfinale dhe një gol në finalen kundër Gjermanisë Perëndimore. Këto paraqitje e shndërruan atë në simbolin e suksesit italian dhe një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit botëror.
Pas Botërorit, ai vazhdoi të shkëlqente me Juventusin, duke fituar trofe të rëndësishëm, ndërsa më vonë luajti edhe me Milanin dhe Veronën, ku mbylli karrierën futbollistike në moshën 31-vjeçare.
Lini një Përgjigje