
Shqipëria U-16 ka pësuar një humbje 1-2 përballë Suedisë në ndeshjen e dytë të turneut “UEFA Development”, e zhvilluar pasditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”. Ekipi i drejtuar nga trajneri Armand Dama tregoi paraqitje pozitive në disa momente të lojës, por nuk arriti të shmangë disfatën.
Kuqezinjtë e nisën takimin me këtë formacion titullar: Marsid Hoxha në portë, ndërsa në mbrojtje dhe mesfushë u aktivizuan Drion Ibrahimi, Denis Nikolli, Rian Nezaj, kapiteni Jon Ajvazi, Sebastian Sina, Angelos Como, Tom Keqi, Klevis Basha, Lorent Zhara dhe Gentian Sharka.
Suedia kaloi në avantazh në minutën e 27-të me anë të Milo Pavloviç. Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë për të rikthyer baraspeshën, pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të miqve.
Në pjesën e dytë, Shqipëria reagoi duke barazuar në minutën e 53-të me Gentian Sharkën. Kuqezinjtë krijuan disa raste të mira dhe në një moment dukeshin më kërkues në fushë.
Megjithatë, në kulmin e lojës së tyre, Suedia shfrytëzoi një rast dhe realizoi golin e dytë në minutën e 65-të me Marruf Jahja Abdu, duke rikthyer avantazhin që do të rezultonte vendimtar.
Gjatë pjesës së dytë, trajneri Dama aktivizoi edhe Muji, Hyseni, Rrena, Lajiq, Cekrezi, Mile, Sulaj dhe Xhemali, në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Megjithatë, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare.
Shqipëria U-16 do të zhvillojë ndeshjen e tretë dhe të fundit të turneut më 6 prill, në orën 11:30, sërish në “Shtëpinë e Futbollit”, përballë Austrisë.
Lini një Përgjigje