
Flamurtari dhe Tirana kanë ndarë pikët në një përballje të luftuar në stadiumin “Flamurtari”, e cila u mbyll në barazim 1-1 pas një fundi dramatik dhe një penalltie të diskutueshme në kohën shtesë.
Takimi nisi me ritëm të lartë, teksa që në minutën e 3-të bardheblutë kaluan në avantazh. Pas një asisti të saktë nga Mehmeti, Tabeku u gjend i lirë dhe realizoi për 0-1, duke i dhënë epërsinë kryeqytetasve.
Tirana vijoi të ishte kërcënuese edhe më pas, me Mysloviç që në minutën e 16-të provoi nga distanca, por portieri Aleksovski reagoi në mënyrë vendimtare duke shmangur golin e dytë.
Në minutën e 27-të loja u tensionua pas një ndërhyrjeje të gabuar nga Kortes, duke sjellë përplasje mes lojtarëve në fushë.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Tiranës, ndërsa në të dytën Flamurtari rriti presionin në kërkim të barazimit. Në minutën e 66-të portieri Visar Bekaj ndërhyri me sukses për të ruajtur avantazhin e ekipit të tij.
Në minutën e 71-të Flamurtari kërkoi penallti për një kontakt në zonë ndaj Maksutit, por arbitri Lata vendosi të lejonte vazhdimin e lojës, duke shkaktuar protesta nga vendasit.
Megjithatë, në minutat shtesë erdhi episodi vendimtar. Në minutën e 90+3, Tirana shkaktoi një penallti të cilësuar si e çuditshme, nga e cila Maksuti realizoi për 1-1, duke rikthyer baraspeshën.
Pak minuta më vonë, në 90+10, arbitri sinjalizoi fundin e ndeshjes, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-1.
Ky rezultat e ka bërë edhe më të ethshme garën për sa i përket mbijetesës, me vlonjatët që mbyllin tabelën me 25 pikë, 2 më pak se Vora e vendit të 9-të, ndërkohë që në vend të tetë ndodhet Tirana me 28 pikë. Në ujëra të turbullta qëndron edhe Bylisi me 30 pikë.

Lini një Përgjigje