
Vllaznia ka përmbyllur këtë të premte përgatitjet për përballjen ndaj Partizanit, në një klimë të tensionuar pas një incidenti të regjistruar gjatë seancës stërvitore në Shkodër.
Sipas raportimeve mediatike, gjatë stërvitjes ka ndodhur një përplasje fizike mes lojtarëve Melos Bajrami dhe Çarls Bismark. Shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një ndërhyrje e fortë nga Bajrami, e cila nuk është pritur mirë nga Bismark, duke çuar në agravimin e situatës.
Bismark, i cili është pjesë e skuadrës shkodrane në formë huazimi nga Skënderbeu, është një nga lojtarët kryesorë të ekipit, ashtu si edhe Bajrami.
Duke qenë se bëhet fjalë për dy titullarë, mbetet për t’u parë se çfarë mase disiplinore do të ndërmarrë klubi ndaj tyre. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga drejtuesit e Vllaznisë.
Pavarësisht incidentit, trajneri Edi Martini dhe skuadra do të udhëtojnë drejt Tiranës si kryesues të Abissnet Superiore, me objektiv të qartë: marrjen e tri pikëve.
Takimi mes Partizanit dhe Vllaznisë do të zhvillohet më 4 prill, në orën 17:00, në stadiumin “Arena e Demave”.
Lini një Përgjigje