
Ka kaluar një javë që nga humbja e Kombëtares shqiptare në Varshavë përballë Polonisë me rezultatin 2-1, një ndeshje që la hapur diskutime mbi momentet kyçe që mund të kishin ndryshuar fatin e saj.
Kuqezinjtë kaluan në avantazh falë golit të Arbër Hoxhës në fundin e pjesës së parë, ndërsa një rast i artë për të dyfishuar rezultatin u shfaq në këmbët e Nedim Bajramit. Megjithatë, mesfushori nuk arriti të konkretizojë, duke lënë të hapur rrugën për përmbysjen e vendasve.
Ndërkohë, vëmendja është rikthyer sërish te Kombëtarja përmes një postimi në rrjetet sociale nga anësori Jasir Asani. Futbollisti ka publikuar një foto ku shfaqet së bashku me Nedim Bajramin dhe Naser Alijin, duke ngjallur interes te ndjekësit.
Në mbishkrimin që shoqëron foton, Asani shkruan: "Shkup-Kumanovë-Tetovë, Gjithmonë bashkë për ty Shqipëri", duke theksuar lidhjen mes lojtarëve dhe origjinën e tyre.

Ky mesazh shihet si një tjetër dëshmi e unitetit brenda skuadrës dhe rolit që kanë pasur “rrënjët” e përbashkëta në rritjen dhe forcimin e Kombëtares shqiptare në vitet e fundit.
Lini një Përgjigje