TAGS-AT E JAVËS

Sport 3 Prill 2026, 16:18

Pas Gravinës dhe Bufon dorëhiqet edhe Gatuzo: Nder që drejtova kombëtaren e Italisë, jam zemërthyer

Shkruar nga Pamfleti

Pas Gravinës dhe Bufon dorëhiqet edhe Gatuzo: Nder që drejtova

Xhenaro Gatuzo nuk është më trajner i Kombëtares së Italisë. Federata Italiane e Futbollit (FIGC) konfirmoi zyrtarisht largimin e tij përmes një komunikate për shtyp këtë të premte, pas eliminimit të “Axurrëve” në fazën “play off” të Botërorit.

Disfata ndaj Bosnjë-Hercegovinës rezultoi vendimtare për fatin e trajnerit 48-vjeçar. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në Zenica, nisën dyshimet mbi të ardhmen e tij, ndërsa vetë Gatuzo vendosi të ndërpresë kontratën me federatën.

Ky zhvillim vjen në një moment të trazuar për futbollin italian, pasi FIGC u godit edhe nga dorëheqjet e presidentit Gabriele Gravina dhe shefit të delegacionit, Xhanluixhi Bufon.

Me largimin e Gatuzos, hapet gara për pankinën e Kombëtares. Emrat që përfliten aktualisht janë Roberto Mançini, Masimiliano Alegri, Simone Inzagi dhe Antonio Konte. Vendimi përfundimtar pritet të merret pas 22 qershorit, kur do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e Federatës.

Ndërkohë, si zgjidhje e përkohshme, drejtimi i ekipit mund t’i besohet Baldinit, aktualisht trajner i përfaqësueses U-21.

Në deklaratën e tij të lamtumirës, Gatuzo theksoi se vendimi erdhi me keqardhje për mosrealizimin e objektivave:

Me dhimbje në zemër, duke parë që nuk e arritëm objektivin e vendosur, e konsideroj të mbyllur eksperiencën time në pankinën e Kombëtares. Fanela e Kaltër është e mira më e çmuar që ekziston në futboll, për këtë arsye është e drejtë që të lehtësoj menjëherë punën për vlerësimet e ardhshme teknike. Dëshiroj të falenderoj presidentin Gravina dhe Xhaqnluixhi Bufon dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Federatës për besimin dhe mbështetjen që gjithnjë më garantuan. Ishte një nder të drejtoja Kombëtaren dhe ta bëja këtë me një grup djemsh që treguan impenjim dhe lidhje të ngushtë me fanelën. Por falenderimi më i madh shkon për tifozët, për të gjithë italianët që këto muaj nuk kanë rreshtur së shfaquri mbështetjen dhe dashurinë për Kombëtaren.”

Edhe ish-presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, falënderoi Gatuzon për kontributin e tij:

Dua të falenderoj edhe njëherë Gatuzon, sepse përveçse është një person special, si trajner ka dhënë një kontribut të çmuar duke ia dalë që në pak muaj të rikthejë entuziazmin rreth Kombëtares. Iu transmetoi futbollistëve dhe të gjithë vendit një krenari të madhe për fanelën e kaltër.”

xhenaro gatuzo kombëtarja e italisë

Lini një Përgjigje