Sistemi i ri synon të ulë varësinë e Evropës nga Visa dhe Mastercard, duke ofruar pagesa të menjëhershme, pa tarifa dhe edhe pa internet.
Komisioni për Çështjet Ekonomike dhe Monetare i Parlamentit Evropian ka miratuar projektin për euron digjitale, një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të forcuar pavarësinë e tij financiare dhe për të reduktuar varësinë nga sistemet amerikane të pagesave.
Valuta e re digjitale, e cila pritet të hyjë në përdorim deri në vitin 2029, do të emetohet dhe garantohet nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe do të funksionojë paralelisht me paranë fizike, pa synuar ta zëvendësojë atë.
Aktualisht, gjigantët amerikanë Visa dhe Mastercard përpunojnë rreth 61% të pagesave me kartë në eurozonë dhe pothuajse të gjitha pagesat ndërkufitare me kartë. Për këtë arsye, Brukseli e konsideron euron digjitale si një projekt strategjik për sovranitetin ekonomik të Evropës.
Si do të funksionojë euroja digjitale?
Qytetarët do të mund të hapin një portofol digjital (digital wallet) përmes bankave të tyre ose duke depozituar para në institucione të autorizuara, siç mund të jenë zyrat postare.
Pagesat do të kryhen me telefon celular, kartë bankare ose pajisje të tjera elektronike, njësoj si pagesat aktuale. Ndryshimi kryesor është se fondet do të menaxhohen drejtpërdrejt nga Banka Qendrore Evropiane dhe jo nga bankat tregtare.
Sistemi do të lejojë pagesa në dyqane, në internet dhe mes individëve, pavarësisht se në cilin vend të eurozonës ndodhen përdoruesit.
Pagesa të menjëhershme dhe pa tarifa
Një nga avantazhet kryesore të euros digjitale është shpejtësia. Ndryshe nga sistemi aktual, ku tregtarët mund të presin disa orë ose ditë për të marrë fondet, pagesat me euro digjitale do të kryhen menjëherë.
Po ashtu, konsumatorët nuk do të paguajnë tarifa për përdorimin e sistemit. Përfitime do të kenë edhe bizneset, të cilat aktualisht paguajnë komisione për transaksionet përmes Visa dhe Mastercard.
Zyrtarët evropianë argumentojnë se kjo do të ulë kostot e pagesave dhe do të rrisë konkurrencën në tregun financiar.
Do të funksionojë edhe pa internet
Një veçori që e dallon euron digjitale nga shumica e sistemeve aktuale është mundësia për të kryer pagesa edhe pa lidhje interneti.
Në rast të ndërprerjeve të energjisë elektrike ose problemeve me rrjetet e komunikimit, përdoruesit do të mund të vazhdojnë të kryejnë transaksione në mënyrë offline.
Kjo ide mori më shumë mbështetje pas ndërprerjes masive të energjisë në Spanjë dhe Portugali gjatë vitit 2025, kur pagesat me karta dhe telefon u bllokuan për disa orë.
Sipas planit të BQE-së, euroja digjitale do të ofrojë një nivel të lartë privatësie. Banka Qendrore nuk do të jetë në gjendje të identifikojë drejtpërdrejt përdoruesit përmes të dhënave të pagesave të tyre.
Megjithatë, autoritetet evropiane theksojnë se sistemi do të respektojë rregullat kundër pastrimit të parave dhe financimit të aktiviteteve të paligjshme.
Garë globale për monedhat digjitale
Bashkimi Evropian nuk është i vetmi që po zhvillon një valutë digjitale shtetërore. Kina ka vënë tashmë në qarkullim juanin digjital, ndërsa Rusia ka njoftuar se rubla digjitale do të bëhet funksionale në shtator të vitit 2026.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur një qasje tjetër, duke mbështetur zhvillimin e stablecoins, monedha digjitale private të lidhura kryesisht me dollarin amerikan.
Parlamenti Evropian pritet të votojë zyrtarisht projektin në seancën plenare të korrikut, ndërsa më pas do të nisin negociatat me 27 shtetet anëtare të BE-së për miratimin përfundimtar të legjislacionit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje