
Ëndrra e Shqipërisë për një kualifikim historik në Kupën e Botës u ndërpre në mes mbrëmjen e 26 marsit, në Varshavë, ku kuqezinjtë u mposhtën me përmbysje nga Polonia me rezultatin 1-2.
Takimi u karakterizua nga një performancë konkurruese e Kombëtares shqiptare, e cila pati mundësi konkrete për të thelluar avantazhin. Raste të rëndësishme u krijuan përpara portës së Grabarës, ku Bajrami dhe Pilo ishin pranë golit që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e sfidës dhe, potencialisht, historinë e ekipit kombëtar.
Megjithatë, mosshfrytëzimi i këtyre rasteve rezultoi vendimtar, duke i dhënë mundësinë Polonisë të përmbyste rezultatin dhe të siguronte fitoren.
Pas disfatës ka reaguar edhe ish-mesfushori i Kombëtares, Klaus Gjasula, i cili një vit më parë u tërhoq nga ekipi kuqezi. Ai bëri thirrje për qetësi dhe vlerësim të arritjeve të deritanishme.
“Humbja ndaj Polonisë dhemb, por nuk ka vend për negativitet. Kemi qenë pjesë e Europianit dhe shumë pranë Botërorit. Ne jemi Shqipëria, ka kombëtare që presin me vite dhe nuk ia dalin, pavarësisht përpjekjeve. Prandaj duhet të qendrojmë me këmbë në tokë dhe të shohim anët pozitive”, ka deklaruar Gjasula.
36-vjeçari ishte një nga protagonistët e Europianit të fundit, ku u bë vendimtar në ndeshjen ndaj Kroacisë. Ai shënoi në minutat e fundit, duke barazuar rezultatin dhe duke korrigjuar më herët një autogol që kishte kaluar kundërshtarët në avantazh.
Lini një Përgjigje