Sabah Kerjota mbetet ende një emër pak i njohur për publikun sportiv në Shqipëri, por sulmuesi 24-vjeçar nga Shkodra po jeton sezonin më të rëndësishëm të karrierës së tij në Skoci. Me fanelën e Heart of Midlothian, ai është shumë pranë fitimit të titullit kampion, duke sfiduar dominimin historik të Sëlltikut dhe Renxhërsit
I rritur në akademinë e Vllaznisë, Kerjota luajti me ekipet e moshave të klubit shkodran deri në vitin 2018. Më pas vendosi të largohej drejt Italisë, ku fillimisht u shkëput për disa muaj nga futbolli, përpara se të rifillonte karrierën në kategoritë amatore dhe më pas në Serinë D.
Në Itali ai veshi fanelat e disa skuadrave si Narnese, Klituno, Ankona, Montefano, Vigor Senigalia dhe Sambenedetese, duke ndërtuar gradualisht profilin e tij si sulmues.
Shansi i humbur me Parmën
Në vitin 2020, Kerjota pati një mundësi të rëndësishme për të bërë hapin e madh në karrierë. Parma shfaqi interes konkret për të dhe drejtori sportiv i asaj kohe, Daniele Faxhiano, kishte planifikuar ta mbante në kontratë.
Megjithatë, për shkak të ndryshimeve në strategjinë e klubit dhe çështjeve administrative që lidhen me vendet për lojtarët jashtë Bashkimit Europian, marrëveshja nuk u finalizua kurrë.
Kthesa në Serinë D dhe transferimi në Skoci
Momenti i kthesës erdhi me Vigor Senigalia. Brenda dy sezonesh në Serinë D, Kerjota realizoi 19 gola dhe dha 29 asiste në 71 ndeshje, statistika që tërhoqën vëmendjen e Sambenedetezes.
Me këtë skuadër ai regjistroi 10 gola dhe 13 asiste në 37 paraqitje, duke kontribuar në ngjitjen e ekipit në Serinë C. Performancat e tij bindën drejtuesit e Heart of Midlothian, të cilët në verën e vitit 2025 paguan rreth 150 mijë euro për transferimin e shqiptarit dhe i ofruan kontratë deri në vitin 2028.

Pranë një mrekullie historike
Heart of Midlothian po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm në kampionatin skocez. Klubi nga Edinburgu kryeson renditjen me 76 pikë, tre më shumë se Sëlltiku dhe shtatë më shumë se Renxhërsi, ndërsa kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit.
Nëse arrin të shpallet kampion, Hearts do të fitojë titullin e parë që nga sezoni 1959-1960, duke i dhënë fund një dominimi 41-vjeçar të Sëlltikut dhe Renxhërsit në futbollin skocez.
Kerjota ka zhvilluar 18 ndeshje në sezonin e tij të parë në Skoci. Edhe pse minutazhi i tij ka qenë i kufizuar, ai ka rezultuar shpesh vendimtar. Një nga momentet më të rëndësishme ishte asistimi në minutën e 91-të ndaj Hibernian, ndërsa më vonë ndaj të njëjtit rival kontribuoi sërish me një asist në përmbysjen e ekipit të tij.
Performancat e tij i kanë sjellë edhe vlerësime nga trajneri Derek McInnes.
“Jemi të emocionuar me Kerjotën dhe jam i bindur se ai do të jetë edhe më vendimtar sezonin e ardhshëm”, deklaroi McInnes.
Finalja e sezonit kundër Sëlltikut
Fati i kampionatit mund të vendoset më 16 maj, kur Hearts do të përballet drejtpërdrejt me Sëlltikun në atë që konsiderohet si “finalja” e sezonit. Para kësaj sfide, skuadra nga Edinburgu do të luajë ndaj Madhëruell dhe Falkirk.
Për Sabah Kerjotën, rrugëtimi nga fushat e Shkodrës, te kategoritë e ulëta në Itali dhe tani në garën për titull në Skoci, përfaqëson historinë e një futbollisti që ka ndërtuar gjithçka hap pas hapi.
Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve pozitive në Skoci, sulmuesi shqiptar ende nuk ka marrë një ftesë nga Kombëtarja shqiptare.
Lini një Përgjigje