Sezoni i Alfonso Dejvis me Bajernin e Mynihut mund të konsiderohet i mbyllur para kohe, pasi mbrojtësi i majtë ka pësuar një tjetër dëmtim që do ta mbajë larg fushave për disa javë. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi bavarez, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi gatishmërinë e tij për Kupën e Botës.
Në konferencën për shtyp para sfidës me Volfsburgun, trajneri Vincent Kompani u shfaq fillimisht i rezervuar për gjendjen e lojtarit.
“Imazhet do të tregojnë sa kohë do të mungojë realisht”, deklaroi Kompani, pa zbuluar detaje të mëtejshme mbi natyrën e dëmtimit.
Pas ekzaminimeve të kryera nga stafi mjekësor i Bajernit, klubi bëri të ditur se reprezentuesi kanadez do të mbetet jashtë për disa javë. Kjo do të thotë se Dejvis rrezikon të humbasë jo vetëm ndeshjen ndaj Volfsburgut, por edhe përballjen e fundit të Bundesligës kundër Këlnit, si dhe finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Shtutgartit më 23 maj.
Dejvis ishte ndryshimi i vetëm në formacionin titullar të Bajernit pas ndeshjes me PSG-në, me Konrad Laimer që zuri vendin e tij në krahun e majtë.
Ky dëmtim i ri pritet të ndikojë edhe në përgatitjet e tij për Kupën e Botës, ku Kanadaja synon të paraqitet si një nga surprizat e turneut. Dejvis konsiderohet lideri kryesor i kombëtares kanadeze, por problemet fizike të përsëritura kanë ngritur shqetësime serioze.
Gjatë sezonit 2024-2025, ai ka kaluar disa dëmtime muskulore, ndërsa më herët kishte vuajtur edhe nga një këputje e ligamentit. Edhe këtë sezon, 24-vjeçari është përballur me tendosje në kofshë dhe probleme të tjera fizike që kanë ndikuar në vazhdimësinë e tij.
Federata kanadeze reagoi menjëherë pas lajmit, duke konfirmuar bashkëpunimin me klubin gjerman për rikuperimin e lojtarit.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Alfonson dhe po bashkëpunojmë me stafin mjekësor të Bajernit pas këtij problemi të fundit”, thuhet në deklaratën e Federatës Kanadeze.
“Fokusi ynë është ta mbështesim rikuperimin e tij dhe t’i ofrojmë të gjitha resurset e mundshme, përfshirë ekspertë të specializuar për dëmtimet muskulore, në mënyrë që të rikthehet në formën më të mirë para Kupës së Botës.”
Kanadaja është pjesë e Grupit B në Botëror, ku do të përballet me Bosnje-Hercegovinën, Zvicrën dhe Katarin. Brenda kampit kanadez ekziston bindja se skuadra ka potencial real për të kaluar fazën e grupeve, megjithëse gjendja fizike e Dejvis mbetet një nga shqetësimet kryesore.
Lini një Përgjigje